Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka dalë sot në krah të ish-deputetit Gledjon Rehovica, i larguar nga Kuvendi nga ligji i dekriminalizimit në vitin 2018.
Veliaj ka publikuar në Facebook një foto ku në krah ka dy ish-deputetë të LSI-së në Berat, Nasip Naço dhe Gledjon Rehovicën.
“Bashkimi bën fuqinë” shkruan Veliaj pasi dy ish-deputetët i janë bashkuar së fundi Partisë Socialiste.
Por ‘bashkimi’ me deputetë të larguar nga dekriminalizimi është kundërshtuar javët e fundit nga aktorët ndërkombëtarë.
Ambasadorja Kim ka bërë thirrje të përsëritura që deputetët e larguar nuk duhet të rikthehen në lista me parti të tjera.
Kryeministri Rama është përgjigjur se nuk do të ketë persona të inkriminuar në listat e PS për zgjedhjet e 2021.
Gledjon Rehovica u largua nga Kuvendi pasi KQZ vendosi t’i heqë mandatin sepse ai nuk kishte deklaruar një procedim në itali për vjedhje dyqani.
Ai e apeloi vendimin dhe kërkoi të rikthehej në Kuvend por Gjykata Administrative e refuzoi kërkesën.
Rreth 600 persona kanë humbur postet e tyre si pasojë e zbatimit të ligjit të dekriminalizmit prej vitit 2015. Mes tyre edhe 3 kryebashkiakë dhe 7 deputetë.