Gjyqtari i Apelit Tiranë Ilir Toska do të përballet sot me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, në kuadër të procesit të vetingut.
Trupa që do të zhvillojë sot seancën dëgjimore me Toskën përbëhet nga Etleda Çiftja, Xhensila Pine dhe Valbona Sanxhaktari.
Gjyqtari Toska është pjesë e listës prioritare të vetingut pasi kandidon për të qenë pjesë e Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Ilir Toska e ka nisur karrierën si gjyqtar i shkallës së parë, më pas ka qenë kryeinspektor në Këshilin e Lartë të Drejtësisë. Që prej vitit 2007, Ilir Toska është gjyqtar pranë Gjykëtës së Apelit Tiranë. Në vitin 2012, Zoti Toska ka qenë dhe anëtar i Kolegjit Zgjedhor.
Sipas analizës së deklaratave të pasurisë bërë nga BIRN, gjyqtari Toska, në vitin 2003, zotëronte pasuri në vlerën 1,6 milionë lekë. Ndërsa në vitin 2016, pasuria e familjes së gjyqtarit është rritur me rreth 7,3 herë dhe ka arritur vlerën e 12,2 milionë lekëve.
Rreth 74 përqind e të ardhurave të familjes së Zotit Toska vjen nga paga e tij, ndërsa rreth 22 për qind nga paga e bashkëshortes.