Gjyqtari i Gjykatës së Lartë Edmond Islamaj do të dalë sot përpara Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në kuadër të procesit të vetingut.
Trupa gjykuese e KPK-së përbëhet nga Suela Zhegu, Pamela Qirko dhe Genta Tafa Bungo.
Edmond Islamaj ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë shqiptare. Ai ka nisur punë në vitin 1992, menjëherë pas diplomimit, në Gjykatën e Durrësit. Më pas, nga viti 1993 deri në 1995 drejtoi gjykatën e Sarandës, ndërsa nga viti 1998 deri në vitin 2002 drejtoi gjykatën e Kavajës.
Edmond Islamaj ka qenë kryeinspektor në Inspektoriatin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe më pas anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Në vitin 2011, Edmond Islamaj u emërua anëtar i Gjykatës së Lartë dhe vazhdon ende të punojë aty.
Sipas analizës së deklaratave të pasurisë bërë nga BIRN, gjyqtari Islamaj në vitin 2003 kishte pasuri me vlerë rreth 1,19 milionë lekë. në vitin 2015 pasuria e gjyqtarit është rritur me pothuaj 9 herë, duke kapur vlerën e 11,4 milionë lekëve.
Në deklaratat e pasurisë së gjyqtarit Islamaj përfshihen dhe të ardhurat nga paga e bashkëjetueses dhe nga disa ambiente të lëshuara me qira.
Në total rreth 67 për qind e të ardhurave familjare të gjyqtarit Islamaj vijnë nga paga dhe shpërblimet e tij si gjyqtar në Gjykatën e Lartë, 25 për qind nga të ardhurat e bashkëjetuese dhe rreth 6 përqind nga qiratë.
Në fund të analizës, BIRN shkruan se pavarësisht se 12 deklaratat e pasurisë janë pa probleme, gjatë kontrollit rezultuan disa “flamuj të kuq” si psh mungesa e deklarimit të burimit për pasurinë e bashkëjetueses së zotit Islamaj në vitin 2005; e cila përbëhej nga një apartament banimi, një ambient për dyqan dhe një garazh, të deklaruara në vlerën e 1 milionë lekëve dhe mbajtja në gjendje cash të kursimeve në vlerë akumulative prej 8,1 milionë lekësh.
Bazuar në seancat e gjyqtarëve e prokurorëve të tjerë, mund të parashikojmë se KPK do të kërkojë informacione dhe dokumente shtesë për këto dy “flamuj të kuq”.