Vetingu, KPK nuk gjen shkelje në pasurinë e gjyqtares Xhaxho

Vetingu, KPK nuk gjen shkelje në pasurinë e gjyqtares Xhaxho

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk gjeti shkelje në deklarimin e pasurisë gjyqtares Manjola Xhaxho, ndaj duket se ajo do të rikonfirmohet në detyrë.

Gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës u përball dje në seancë dëgjimore me  KPK-në. Në përfundim të seancës relatorja e KPK deklaroi se gjyqtarja Xhaxho nuk ka problem me pasurinë dhe se ka marrë vlerësime positive për pasurinë dhe aftësinë profesionale nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) dhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK).

Zonja Xhaxho është pjesë e listës prioritare të vetingut pasi është kandidate për Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Manjola Xhaxho e ka nisur karrierën në vitin 2002 në të njëjtën gjykatë ku punon dhe sot, në atë të rrethit gjyqësor të Tiranës. Për tre vjet ajo ka punuar dhe si këshilltare ligjore pranë Gjykatës së Lartë.

Vendimi i KPK-së për rikonfirmimin në detyrë apo jo të Zonjës Xhaxho do të jepet më 14 maj.

Deri më tani, vetëm gjykatësja Vitore Tusha dhe prokurorja Fatjona Memçaj kanë kaluar vetingun dhe janë konfirmuar në detyrë.

Besnik Ymeraj dha dorëheqjen, por u referua nga KPK në Prokurori, ndërsa Fatos Lulo, Besnik trezhnjeva, Besa Nikëhasani, Altina Xhoxhaj dhe Fatmir Hoxha u shkarkuan për mosjustifikim të pasurisë.

Ndërkohë të tjerë gjykatës e prokurorë kanë dhënë dorëheqjen pa kaluar fare nën procesin e vetingut. Për më shumë për dorëheqjet dhe për anëtarët e sistemit të drejtësisë të larguar që pas miratimit të reformës në drejtësi mund të lexoni këtu dhe këtu.

 

Lajme te ngjashme