Prokurorja Anila Leka duket se do të rikonfirmohet në detyrë, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk gjeti shkelje në dosjen e saj.
KPK zhvilloi sot seancën dëgjimore me prokuroren e Prokurorisë së Përgjithshme. Në përfundim të seancës, kryesuesja e trupës gjykuese u shpreh se për prokuroren Leka janë kryer hetimet për pasurinë, integritetin e figurës e aftësitë personale dhe në asnjë rast nuk janë gjetur shkelje.
Lidhur me deklarimin e pasurisë, ILDKPKI u shpreh se Anila Leka nuk ka bërë deklarim të rremë të pasurisë dhe nuk ka burime të paligjshme të ardhurash.
Vetë prokuroja Leka e quajti të gjithë procesin transparent dhe nuk paraqiti kontestime për relacionet përfundimtare të KPK-së.
Vendimi përfundimtar për rikonfirmimin në detyrë të Anila Lekës do të jepet më 6 qershor.
Zonja Leka ishte pjesë e listës prioritare të vetingut pasi është kandidate për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Anila Leka e ka filluar karrierën si prokurore në vitin 2004. Përveç se në Prokurorinë e Përgjithshme, Zonja Leka ka punuar dhe si eksperte në Shkollën e Magjistraturës.