Vetingu, KPK shkarkon prokurorin Troci dhe kryetaren e Gjykatës së Apelit Vlorë Liçaj

Vetingu, KPK shkarkon prokurorin Troci dhe kryetaren e Gjykatës së Apelit Vlorë Liçaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi sot nga detyra prokurorin Ramadan Troci dhe gjyqtaren Alma Liçaj, për mosjustifikim dhe fshehje të pasurisë.

Vendimi për Trocin është marrë nga trupa që drejtohej nga Pamela Qirko, me anëtare Genta Tafa Bungon dhe Suela Zhegun, ndërkohë që për gjyqtaren Liçaj u dha nga trupa që përbëhej nga relatorja Xhensila Pine, anëtari Lulzim Hamitaj dhe kryesuesi i trupës Olsi Komici.

Ramadan Troci dhe Alma Liçaj kanë qenë të  pranishëm në seancë.

Prokurori Troci  ka rezultuar i pastër në vlerësimin për figurën, por nuk ka justifikuar pasurinë. Nga analiza financiare KPK ka konstatuar se Troci, në deklaratat e pasurisë ka mungesë burimesh të ligjshme për të ardhurat e viteve 2004, 2005, 2006, 2007, 2012 dhe 2013. Ai ka bërë deklarim të pasaktë të pasurisë dhe ka fshehur një banesë që ka në Paskuqan.

Sa i përket aspektit profesional, për Trocin ka patur 10 denoncime nga qytetarët, tetë prej të cilave janë hetuar nga viti 2006 deri në vitin 2011. Rastet e hetuara  kishin të bënim me plagosjet dhe vdekjet në minierat e Bulqizës.

Ramadan Troci ishte kandidat për Këshillin e Lartë Gjyqësor.  Prokurori Troci e ka nisur karrierën në vitin 2000 dhe për 10 vjet ka punuar si prokuror në Bulqizë e në Dibër. Në vitin 2012, ai u transferua në prokurorinë e Tiranës, në vitin 2014 në prokurorinë e Vlorës dhe prej vitit 2016 punon si prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme. Ai ka qënë Prokurori i çështjes së ish-Guvernatorit Ardian Fullani dhe ish-Kryetarit të Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika.

Ndërkohë  që edhe Kryetarja e Gjykatës së Apelit Vlorës u shkarkua me të njëjtin motiv, për mosjustikim dhe fshehje të pasurisë.

Nga hetimi, KPK ka konstatuar se gjyqtarja Liçaj dhe bashkëshorti i saj nuk kanë burime të mjaftueshme të ligjshme financiare për të justifikuar blerjen e gjashtë banesave, katër në Vlorë dhe dy në Tiranë, si dhe një njësi garazhi. Gjyqtarja ka deklaruar se një pjesë e pasurive është përfituar si dhuratë nga i vëllai i bashkëshortit dhe ka marrë tre borxhe nga persona të tjerë, por nuk ka pasur asnjë dokument ligjor për të provuar dëshmitë e saj. Konkretisht, borxhet e marra janë në vlerat 30 mijë euro, 60 mijë euro, 70 mijë euro dhe 12 mijë euro. Pasuritë e dhuruara nga vëllai i bashkëshortit janë përfituar në vitin 2016 dhe bëhet fjalë për tre ambientet, 2 apartamente dhe një garazh në Vlorë.

Alma Liçaj ishte gjyqtarja e çështjes së Kryebashkiakut të Vlorës, e cila vendosi një ditë më parë shpalljen “të pafajshëm” të Shpëtim Gjikës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>