Kryetarja e Parlamentit Vjosa Osmani ka kritikuar qeverinë e Kosovës për heqjen e masave të reciprocitetit me Serbinë.
Qeveria Hoti shfuqizoi sot vendimet e qeverisë Kurti për masat e reciprocitetit. Kryeministri Hoti i quajti masat e reciprocitetit si ‘pengesa për bisedimet Kosovë-Serbi’, por sipas Osmanit, ato janë ‘barazi’.
Osmani theksoi se me këtë vendim, Kosova ka hequr dorë “nga e drejta për t’u trajtuar Sovran si Republikë e Kosovës”.
Në një postim në Facebook, Osmani shprehet:
“Ta quash reciprocitetin pengesë do të thotë që ti nuk beson se ke të drejta sovrane, të pavarura e të barabarta, siç janë të parapara në Deklaratën e Pavarësisë e në Kushtetutën e vendit.
Të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar i barabartë do të thotë të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar sovran si Republikë e Kosovës.”
Osmani është nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku bën pjesë edhe Avdullah Hoti.
Osmani ishte kandidatja e LDK-së për kryeministre në zgjedhjet e tetorit të fundit, dhe deputetja më e votuar e LDK-së dhe e dyta më e votuara në Kosovë, vetëm disa vota më pak se Albin Kurtit i LVV-së.
Ajo ka kundërshtuar partinë e saj pasi ata vendosën të rrëzojnë qeverinë e koalicionit LVV-LDK të kryeministrit Albin Kurti për mosrespektimin e kërkesës së administratës së SHBA për të hequr tarifat për mallrat serbe në mënyrë të njëanshme, menjëherë dhe pa kushte.
Osmani nuk pranoi të drejtojë as seancën parlamentare në të cilën u votua qeveria Hoti.