Vjosa Osmani kundërshton deklaratat e Lajçak për njohjen e Kosovës

Nga Exit News
Vjosa Osmani kundërshton deklaratat e Lajçak për njohjen e Kosovës

Presidentja në detyrë e Kosovës Vjosa Osmani ka kundërshtuar të mërkurën  deklaratat e përfaqësuesit të Posaçëm të BE Mirosllav Lajçak për dialogun Kosovë Serbi, duke u shprehur se ndjen keqardhje për këtë qëndrim, raporton REL.

Mirosllav Lajçak tha të martën se nëse Serbia ndryshon qëndrim ndaj Kosovës kjo do të ndikonte edhe tek vendet e tjera që të njohin pavarësinë e Kosovës.

Vjosa Osmani është shprehur se kjo deklaratë është e rrezikshme dhe ka theksuar se BE nuk duhet të bazohet në dëshirat e Serbisë në qasjen që ka ndaj Kosovës.

Osmani ka deklaruar:

 “Përveç që është për keqardhje, është edhe e rrezikshme për gjithë Bashkimin Evropian që pesë shtetet anëtare të tij të përcaktojnë rregullat dhe qasjet e tyre duke u bazuar në dëshirat dhe kërkesat e Serbisë”.

Ajo u ka bërë thirrje shteteve të njohin realitetin, duke respektuar edhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe ta njohin Kosovën.

Pesë vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës janë Spanja, Sllovakia, Rumania, Qiproja dhe Greqia.

Lajçak të martën gjatë një video konference me ambasadoren gjermane në SHBA Emily Haber bëri këtë deklaratë për dialogun Kosovë-Serbi.

Osmani ishte në një vizitë në Bruksel ku u takua me presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli, me komisionerin për zgjerimin Oliver Varhelyi.

Po ashtu ajo u takua dhe me Lajçak. Në Twitter ajo shkroi:

“U takova me Miroslav Lajcak sot ne Bruksel. Diskutuam zhvillimet e fundit në dialogun Kosovë-Serbi dhe sfidat që priten përpara. Gjithashtu, folëm për zgjedhjet e ardhshme të Kosovës dhe rëndësinë e tyre kryesore për të ardhmen e Kosovës”.

Në mars 2021 bëhet 10 vjet që prej nisjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu u ndërpre në fund të vitit 2018, pas vendosjen e taksës 100 përqind nga qeveria e Haradinajt mbi mallrat nga Serbia.

Më vonë, qeveria Kurti vendosi masa reciprociteti ndaj Serbisë, por këto të fundit u hoqëm nga Qeveria e Hotit, për të mundësuar vazhdimin e dialogut.

Deri më tani palët kanë arritur një marrëveshje për normalizimin e raporteve ekonomike, por bisedimet shpeshherë janë ndalur dhe ende nuk ka një dakordësi përfundimtare.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>