Votimi në Këshillin Bashkiak—prova nëse LSI do të sillet, më në fund, si parti politike

Nga Ilmi Rehova
Votimi në Këshillin Bashkiak—prova nëse LSI do të sillet, më në fund, si parti politike

Nesër Këshilli Bashkiak i Tiranës do të shqyrtojë dy vendime të rëndësishme dhe do të shërbejë si një premierë e raportit të ri të forcave dhe skenës politike pas fitores të socialistëve në zgjedhjet parlamentare.

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë shumicën në këshillin Bashkiak të Tiranës, 32 këshilltarë nga 61 gjithsej, dhe ata mund të bëjnë një opozitë të fortë dhe praktikisht të kontrollojnë dhe kushtëzojnë vendim-marrjen e kryebashkiakut Veliaj për shumë aspekte të rëndësishme të punës së Bashkisë Tiranë.

Partia Demokratike është shprehur se do të votojë kundër propozimit të Kryebashkiakut Veliaj për dyfishimin e çmimit të ujit të pijshëm dhe kundër projektit të ndërtimit me koncesion të shkollave në Tiranë.

Këto vendime janë vendime të rëndësishme që prekin direkt mirëqenien e qytetarëve dhe nëse miratohen do të konfirmojnë politika abusive the klienteliste në dëm të interesave të qytetarëve siç kemi shpjeguar qartësisht respektivisht këtu dhe këtu.

LSI nuk është shprehur ende për qendrimin që do të mbajë nesër. Por votimi i saj do të jetë një provë e qasjes së saj politike: a do të anojë më në fund LSI nga interesi publik apo do të vazhdojë të udhëhiqet nga interesi privat i drejtuesve të saj? A do të veprojë më në fund LSI si një forcë politike që vepron politikisht apo do të vazhdojë sillet si një grup interesi që e trajton pushtetin si sipërmarrje biznesi?

Gjatë 4 viteve të bashkëqeverisjes me PS-në, LSI mbështeti gjithmonë pa asnjë hezitim çdo ligj, projekt dhe vendim të PS-së. Shumë prej këtyre projekteve ishin direkt të dëmshme për qytetarët, përfshi importin e plehrave, koncesionet grabitqare në shëndetësi dhe energji, rritjen e taksave dhe tarifave, etj. Justifikimi i drejtuesve të LSI-së ishte gjithmonë se ata ishin të detyruar t’i qëndronin besnik marrëveshjes së koalicionit—një justifikim tinzar pasi marrëveshja e koalicionit nuk do të thotë mbështetje pa kushte dhe pa ushtruar ndikim ndaj një pushteti që dëmton interesin publik.

Pas zgjedhjeve të qershorit Kryetarja e sapozgjedhur e LSI-së Monika Kryemadhi është shprehur se LSI bëri gabime në qeverisje kur mbështeti politika të tilla klienteliste. Nesër ajo do të ketë mundësinë të provojë nëse këto fjalë janë reflektim i sinqertë apo justifikime propagandistike.

Duhet thënë se projekti i shkollave është një projekt nga i cili përfitojnë ndërtues të mëdhenj në vend dhe banka të rëndësishme në vend, një pjesë klientë të LSI-së. Nga ana tjetër, dihet që ish-Kryetari Ilir Meta e ruajti miqësinë me Kryebashkiakun Veliaj edhe pas prishjes me Ramën. Kjo lloj miqësie u interpretua si interes i Ilir Metës ndaj pushtetit leje-dhënës të Veliajt.

Nesër LSI do të tregojë nëse është e çliruar nga interesat klienteliste, të paktën në këtë rast. Nesër LSI nuk ka më mundësi të bëjë lojrat si forca e pjekur që lufton për tolerancë dhe mirëkuptim mes palëve antagoniste politike: nesër LSI ose do të jetë në krah të qytetarëve ose të klientëve. Nesër LSI do të sillet ose si parti politike ose si sipërmarrje private.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>