Vuçiçi lejon në Serbi kamionët nga Kosova pas kërkesës së Ramës

Nga Bledar Qalliu
Vuçiçi lejon në Serbi kamionët nga Kosova pas kërkesës së Ramës

Një ditë pasi Kryeministri Rama i kërkoi Presidentit Vuçiç të linte të kalonin për në Serbi kamionët më mallra nga Kosova, që ishin bllokuar në doganë prej datës 30 mars, Serbia i lejoi të kalonin.

Kërkesa e përmbushur e Ramës ndaj Vuçiçit vjen pas një kohe të gjatë të mungesës së protagonizmit të kryeministrit shqiptar në politikën e rajonit. Nisja dhe fundi i heshtjes thuajse së plotë rreth dymujore të Ramës për zhvillimet në Kosovë dhe në marrëdhëniet Kosovë-Serbi përkon me ardhjen në pushtet dhe rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Gjatë kësaj kohe është vështirë të gjesh ndonjë fjalë të Ramës për zhvillimet e vrullshme politike në Kosovë. Kjo heshtje është në kontrast me përfshirjen e mëparshme të Ramës në çështje që i përkisnin (edhe) Kosovës.

Rama ia bëri dje thirrjen Vuçiçit përmes një mesazhi në Twitter, të shkruar në mënyrë jo të zakontë në shqip dhe serbisht. Ai i kërkoi, gjithashtu, që të bashkojnë forcat me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për ta siguruar mbajtjen hapur të rrugëve të transportit të mallrave në rajon gjatë krizës së koronavirusit.

Sot, Rama e falënderoi Vuçiçin, me sa duket pasi Presidenti i Serbisë ia dëgjoi lutjen dhe i lejoi kamionët e Kosovës të kalonin.

 

Sipas raportimeve, kamionët me mallra ishin bllokuar në doganë një ditë përpara vendimit të pritshëm të qeverisë së Kosovës për të hequr plotësisht tarifat dhe për të nisur zbatimin gradual të masave të përkohshme të reciprocitetit ndaj Serbisë, deri në 15 qershor, krysisht në tregti.

Ky vendim i marrë mbrëmë, do të rivlerësohet në 15 qershor, kur do të shihet nëse Serbia ka nisur të heqë barrierat jo-tarifore me Kosovën dhe nëse ka ndalur fushatën e lobimit kundër njohjeve të Kosovës. Nëse jo, masat e reciprocitetit do të zgjerohen në fusha të tjera përveç tregtisë.

“Korsia e Gjelbër”, apo “Linja e Gjelbër, siç e quan Rama Rama në mesazhin e së martës, është një nismë e para pak ditëve e Sekretariatit të CEFTA-s, marrëveshja për tregti të lirë në Evropën Qendrore, për të mbajtur hapur rrugë transporti për mallra gjatë krizës së koronavirusit.

Serbia dhe Kosova janë dy vendet e vetme të Ballkanit Perëndimor që ende nuk i janë bashkuar zyrtarisht kësaj nisme, sipas Genoveva Ruiz Calavera-s, zyrtare e lartë në administratën e Komisionit Evropian.

Pas mesazhit të Ramës për Vuçiçin, Calavera, e cila drejton edhe Operacionin Ndërkombëtar të Monitoritmit (ONM) të reformës në drejtësi në Shqipëri, e përgëzoi qeverinë Rama në Twitter për pjesëmarrjen në nismë dhe i bëri edhe ajo thirrje Serbisë dhe Kosovës që të bëhën pjesë e nismës.

“Përgëzime Shqipërisë, qeverisë së katërt që miraton propozimin për “Korsi të Gjelbra”. Tashmë ka një masë kritike për ta zbatuar atë! Mezi pres të bashkohet së shpejti edhe Serbia dhe Kosova!”

Pak orë pas mesazheve të Ramës dhe të Calavera-s rrugët u hapën, nëse do t’i besojmë fjalëve të Ramës dhe atyre të ministrit serb për Kosovën, Marko Gjuriç, i cili tha se ndalimi kishte ndodhur vetëm për shkak të kufizimeve në lëvizje për shkak të koronavirusit.

Pavarësisht arsyeve, kamionët ishin bllokuar që prej datës 30 mars. Këtë e konfirmoi shefi i kabinetit të ministrit të jashtëm të Kosovës, Kreshnik Ahmeti, i cili shkroi se kjo po ndodh ndërkohë që Kosova i hoqi tarifat dhe në kohën e epidemisë së koronavirusit. Ahmeti e ftoi Serbinë t’i heqë barrierat jotarifore, që ia vështirësojnë tregtinë kompanive kosovare.

Për dallim nga udhëheqësit e mëparshëm të vendeve të tyre gjatë historisë, Rama dhe Vuçiçi kanë krijuar një marrëdhënie të mirë personale dhe zyrtare. Vitin e kaluar, ata ishin dyshja kryesore në nismën e Mini-Shengenit për krijimin e një zone të tregtisë së lirë në rajon, fati i së cilës ka mbetur i paqartë, kryesisht për shkak të refuzimit të Kosovës për të marrë pjesë në të.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>