Dita e martë është afati i fundit për partitë politikë në Kosovë që të deklarojnë koalicionet parazgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e mori këtë vendim të hënën gjatë mbledhjes.
Ndërkohë afati për aplikim të subjekteve politike për t’u çertifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje është deri më 16 janar.
Valdete Daka kryetare e KQZ gjatë fjalës së saj në mbledhje tha se për çdo votues, do të lejohet shpenzimi i 50 centëve.
“Partitë politike kanë të drejtë të shpenzojnë 934 mijë e 831 euro gjatë fushatës zgjedhore”, tha Daka.
KQZ njofton në faqen zyrtare se periudha për regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta 14 janar deri në 18 janar.
Identifikimi i votuesve të infektuar me COVID-19 do të kryhet 2 shkurt deri në 11 shkurt.
Çertifikimi i Listës Përfundimtare të Votuesve do të bëhet më 2 shkurt.
Emërimi i Anëtarëve të 38 Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve do të kryhet nga 15 janari deri më 16 janar.
Fushata e zgjedhjeve nis më 3 shkurt dhe përfundon më 12 shkurt, ndërkohë që sipas datës së vendosur nga presidentja në detyrë Vjosa Osmani zgjedhjet do të mbahen në 14 shkurt.
Sa i takon mundësisë për koalicione PDK është shprehur e hapur për koalicione, por thotë se ka disa kushte.
Ndërkohë Lëvizja Vetëvendosje ka mohuar një mundësi koalicioni me PDK.
Nisma Social Demokrate ka thënë për mediat e Kosovës se nuk do të shkrihet asnjëherë me ndonjë subjekt tjetër politik.