11 pyetje për Erion Veliaj në lidhje me godinën e Teatrit Kombëtar

11 pyetje për Erion Veliaj në lidhje me godinën e Teatrit Kombëtar

Me ardhjen e Erion Veliajt në krye të Bashkisë Tiranë, filloi një proces ndryshimesh dhe tjetërsimesh rrënjësore të hapësirave urbane të qytetit të Tiranës.

Në bashkëpunim mes qeverisë dhe bashkisë, ose më saktë mes Kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj, të gjitha zonat qëndrore dhe më të rëndësishme të qytetit, përfshi sheshe, parqe, vepra kulturore, sportive janë kthyer në zona ndërtimi.

Lista përfshin Sheshin Skënderbej dhe gjithë hapësirën përqark tij, përfshin fillimin e Bulevardit Zogu i Parë, fillimin e Rrugës së Durrësit dhe Rrugës së Kavajës, fillimin e Rrugës së Barrikadave; ish-stadiumin kombëtar Qemal Stafa dhe hapësirën përqark tij, përfshin sheshin Italia para tij dhe aneksin pas tij; sheshi para Stadiumit Dinamo; të gjitha terrenet e ish-kompleksit Dinamo; pjesë të mëdha të Parkut të Liqenit, duke filluar që nga hryja përballë ekonomikut, përgjatë gjithë hapësirës deri tek Sheratoni si dhe hapësirën në hyrjen nga ana e digës së liqenit; terrenet e universitetit të Tiranës në Qytetin Studenti, godinën e Teatrit Kombëtar; godinën e Teatrit të Kukullave; godinën e Teatrit të Operas dhe Baletit; kompleksit argëtues për fëmijë “7 Xhuxhat”; hapësirat brenda dhe jashtë kalasë së Tiranës. Në të gjitha këto hapësira janë kryer, po kryhen ose janë planifikuar të kryhen ndërtime betonizuese, në shumicën e rasteve kulla të larta.

Në çdo projekt, janë shkelur të gjitha procedurat ligjore nga transparenca dhe informimi i publikut, tek vlerësimet e ndikimeve mjedisore dhe përfshirja e publikut në vendim-marrje, tek procedurat e prokurimit. Çdo gjë është bërë në mënyrë arbitrare dhe fait-a-complais. Edhe sot nuk dihet sa ka kushtuar ndërtimi i Sheshit Skënderbej, apo cili është projekti final i Stadiumit Kombëtar përfshi madhësinë e kullës. Në të gjitha rastet, disa rendera me kompjuter dhe takime propagandistike me militantë kanë qenë e gjithë “transparenca” e bërë.

Shënjestra e fundit e dyshes Rama-Veliaj është godina e Teatrit Kombëtar, për të cilën kemi folur këtu, këtu dhe këtu. Duket se e njejta qasje po zbatohet edhe në këtë rast. Dyshja Rama-Veliaj kanë porositur një projekt, kanë rënë dakrod me një nga klientët e tyre ndërtues për financimin dhe ndërtimin e tij, në shkëmbim të dhënies së një pjesë të terrenit të teatrit për ndërtim dhe dhënien e lejes për zhvillimin shumëkatësh të gjithë zonës nga godina e teatrit tek godina Eurocol.

Nën trysninë e opinionit publik dhe të sindikatës së artistëve, Veliaj duket se po detyrohet të manovrojë duke u përpjekur të bëjë “transparencë” por kjo transparencë po bëhet në mënyrë private dhe të izoluar.

Për të ndihmuar në transparencën e vërtetë, Exit.al po i drejton një sërë pyetjesh publike Kryeministrit Rama dhe Kryebashkiakut Veliaj, si më poshtë:

1. A ka vendosur qeveria/bashkia prishjen e godinës ekzistuese të Teatrit Kombëtar? Nëse, po mbi çfarë vlerësimi/analize/studimi? A është konsultuar ky vendim me palët e interesuara? A është konsideruar ruajtja e godinës për një destinacion tjetër publik, si muze, etj.? Kush e ka marrë apo do ta marrë vendimin formal për prishjen?

2. A është bërë ndonjë vlerësim i vlerës së terreneve dhe objekteve të tjera në pronësi të teatrit?

3. A do mbetet i gjithë territori i tanishëm, trualli i godinave dhe trualli i pazënë me ndërtime në pronësi të teatrit, pronësi publike? Ose e thënë ndryshe, a ka vendosur qeveria tjetërsimin e ndonjë sipërfaqe të truallit në pronësi të teatrit?

4. Cilat kanë qenë termat e referencës apo përcaktimet për detyrën projektuese për planin zhvillimor apo godinën e re? Kush i ka hartuar këto përcaktime dhe me çfarë procedure?

5. Me çfarë procedure është zgjedhur projektuesi? Cili ka qenë institucioni që ka bërë përzgjedhjen e tij?

6. Si është paguar, do të paguhet apo është premtuar të paguhet projektuesi i godinës së re apo planit zhvillimor?

7. Si do të llogaritet apo vlerësohet kostoja e propozuar e ndërtimit të godinës së re? Me çfarë fondesh është parashikuar ndërtimi i teatrit?

8. Kur do të bëhet publik projekti i godinës së re që Zoti Veliaj ka marrë nga projektuesi? Cili është plani për diskutimin e tij në publik?

9. A ka Bashkia Tiranë projekte zhvillimore për ndërtimin e kullave të larta në hapësirën midis territorit të Teatrit Kombëtar dhe godinës Eurocol?

10. A ka parashikuar/planifikuar/diskutuar Bashkia Tiranë mundësinë që godina e re e teatrit të financohet nga subjekte private në shkëmbim të terrenit publik dhe lejeve të ndërtimit në hapësirën pranë terrenit aktual të teatrit?

11. A do të jetë kompania Fusha shpk ndërtuesi i godinës së teatrit? A do të jetë kompania Fusha shpk zhvilluesi i gjithë zonës nga teatri tek Godina Eurocol?

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>