“….neni 13 i ligjit për aktivitetin e prokurorisë në luftën kundër korrupsionit hap derën e një censure të paprecedent, duke parashikuar dënimin e gazetareve” – ka komentuar Kryetari i PD-së Lulzim Basha me anë të një postimi në Facebook.
Zoti Basha pohoi se ky nen nuk ka mbështetjen e PD-së dhe i siguroi gazetarët se ai nuk do të miratohet në Kuvend.
Kryetari i opozitës akuzoi Kryeministrin Edi Rama për futjen në fshehtësi të këtij neni në projektligjin për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, një nga shtatë projektligjet që shoqërojnë ndryshimet kushtetuese të refomës në drejtësi.
Sipas këtij neni të projektit “çdo lloj influence e papërshtatshme e ushtruar mbi punën e prokurorëve të posaçëm apo aktivitetin e tyre mbi çështje konkrete përmes autoriteteve publike, mediave apo çdo mënyre apo personi tjetër, që ndikon mbi pavarësinë e prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre, ndalohet dhe dënohet me ligj”. Dënimi i përcaktuar në Kodin Penal për këtë vepër shkon deri në tri vite burg.
Shoqatat kryesore të gazetarëve në vend i kanë dërguar një letër Kuvendit, me anë të së cilës kërkojnë heqjen e nenit, i cili sipas tyre kërkon të ligjërojë censurimin e fjalës dhe medias së lirë në vend.