Policia dyshon se dy të rinjtë Anxhelo Avdia dhe Dorjan Shkoza, që u vranë dje në Durrës, u ekzekutuan nga vrasës profesionistë. Arsyeja e ekzekutimit mafioz mendohet të jenë pazaret e drogës dhe konfliktet e shkuara, pasi Shkoza ka qenë dënuar me 8 vite burg për narkotrafik.
Vrasja e mbrëmjes së djeshme në Durrës u krye në Shkozet. Avdia, 24-vjeç, dhe Shkoza, 35-vjeç, po ecnin në këmbë në drejtim të një servisi që Shkoza e kishte marrë me qira, kur u qëlluan me pistoletë nga një makinë, e cila thuhet se iu afrua shumë afër. Shkoza vdiq në vend, ndërsa Avdia teksa po dërgohej në spital.
Mediat raportojnë Shkoza ishte arrestuar me rreth gjysmë kilogrami drogë, ndërsa në vitin 2015 ka qenë i përfshirë edhe në një aksident me vdekje. Për 24-vjeçarin Avdia, thuhet se ai kishte pak kohë që ishte kthyer nga Anglia.
Pak pas vrasjeve policia gjeti një makinë të djegur në Rrogozhinë. Verifikimet e para treguan se makina ishte e vjedhur dhe mund të jetë përdorur nga autorët.