Propozimi i PS-së për mbylljen e portaleve në kundërshtim me OSBE-ODIHR

Propozimi i PS-së për mbylljen e portaleve në kundërshtim me OSBE-ODIHR

Partia Socialiste i ka propozuar, pak ditë më parë, komisionit të Reformës Zgjedhore që të bëjë regjistrimin e të gjitha portaleve online në Bordin e Monitorimit të Medias. Në rast se portalet nuk regjistrohen brenda afateve, qeveria ka të drejtë t’i mbyllë ata gjatë periudhës së fushatës zgjedhore. Ky vendim vlen edhe për portalet e regjistruara në servera jashtë Republikës së Shqipërisë.

Duket se nisma e deputetëve të PS ka marrë shkas nga sulmet e shumta që Kryeministri Rama i ka bërë portaleve online kohët e fundit. Në monologët e tij të së dielës, Kryeministri Rama shpeshherë i ka quajtur gazetarët e portaleve, ato që kritikojnë qeverinë, “politikanë të dështuar që janë plot mllef dhe hakmerren për dështimin e tyre studio më studio, portal më portal, duke u shfaqur me maskën e analistit.”

Në kundërshtim me deklaratat e Zotit Rama, në përfundimet e OSBE-ODIHR për zgjedhjet vendore të 2015-ës, në kapitullin ku flitej për median, e vetmja gjë e cila vlerësohej pozitivisht ishte pikërisht pavarësia dhe këndvështrimi ndryshe i disa portaleve online.

raportin e OSBE-ODIHR shkruhej:

“Megjithatë, nuk ka ndërhyrje në lirinë e internetit, dhe lajmet në internet gjithnjë e më shumë ndihmojnë në pluralizëm, për shkak të autonomisë së tyre më të madhe editoriale dhe hapësirës për këndvështrime alternative.”

Ndërsa për Bordin e Monitorimit të Medias (BMM) ku duhet të regjistrohen këto portale dhe Autoritetin e Medias Vizive (AMA) OSBE-ODIHR shprehet se :

“Bordi i Monitorimit të Medias kishte mungesë stafi, pajisjesh dhe metodologjie për të monitoruar në mënyrë efektive numrin e madh të transmetuesve ose tonin e mbulimit mediatik.”

“Autoriteti i Medias Audiovizive (AMA), nuk zhvillon monitorim cilësor dhe sasior të përmbajtjes, përsa i përket mbulimit të aktorëve politik gjatë zgjedhjeve. Për më tepër, bashkëbiseduesit e MVZ-së së OSBE/ODIHR-it, kritikuan mungesën e pavarësisë politike të AMA-së.”

Pra duket se Partia Socialiste dhe qeveria kanë shpërfillur totalisht raportet e OSBE-ODIHR lidhur me procesin zgjedhor. Ata, përveç propozimit të mësipërm që bie në kundërshtim me raportet e OSBE-ODIHR, nuk kanë marrë asnjë nismë për të plotësuar rekomandimet për zgjedhjet 2017, që vërtetë do të ndikonin në përmirësimin e procesit zgjedhor.

Asnjë propozimin nga shumica nuk ka ardhur për rekomandime si:

  • Sigurimi i lirisë financiare dhe editoriale nga qeveria të transmetuesit publik;
  • Publikimi i të dhënave për mediat si: pronarët, administratorët, emrat e gazetarëve në media, për të rritur transparencën dhe besueshmërinë e tyre;
  • Heqja e dënimit me burg për veprën e shpifjes, siç e parashikon ligji i medias. Ky ligj bie në kundërshtim me standardet evropiane;
  • Shfuqizimi i nenit 84.1 të Kodit Zgjedhor, pra ndalimi i transmetimit në media të video-mesazheve të prodhuara nga partitë politike;
  • Depolitizimi i anëtarëve të AMA-s dhe emërimi i tyre në një mënyrë që të siguroj pavarësinë e saj nga ndikimi politik;
  • Publikimi nga partitë politike, përpara datës së zgjedhjeve, të një raporti paraprak shpenzimesh gjatë fushatës, ç’ka do të rriste transparencën dhe besueshmërinë;
  • Përcaktimi me ligj i afatit kohor për dorëzimin e raporteve financiare, pas zgjedhjeve, pranë audituesve të emëruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve;
  • Sigurimi i sekretit të votës dhe integritetit në procesin e votimit;
  • Shit-blerja e votës të dënohet me ligj dhe të merren të gjitha masat e nevojshme për ta parandaluar atë;
  • Ndërmarrja e hapave të qartë për parandalimin, hetimin, dhe ndjekjen e çdo lloj prove presioni ose intimidimi të punonjësve të administratës publike, sidomos gjatë fushatës zgjedhore.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>