Partia Demokratike kërkoi sot shkarkimin nga detyra të kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako, pas garancisë së këtij të fundit për lirimin e Lulzim Berishës.
Në një konferencë për shtyp nga Durrësi, kreu i PD Lulzim Basha deklaroi:
Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka përdorur pushtetin dhe zyrën që i kanë besuar qytetarët e Durrësit për të liruar nga burgu një kriminel që ka vrarë dhe terrorizuar qytetarët e Durrësit. Vangjush Dako ka zgjedhur me vetëdije të bëhet njësh me krimin dhe për këtë arsye këshilltarët dhe deputetët demokratë të Bashkisë së Durrësit kanë vendosur ti kërkojnë shkarkimin e menjëhershëm të Dakos në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.
Zoti Basha i kërkoi prokurorisë të nisë hetimet sa më parë ndaj Zotit Dako dhe dorëzoi kërkesën për shkarkimin e kryebashkiakut në kryeministri. Ndërsa qytetarëve dhe ndërkombëtarëve, Zoti Basha i kërkoi të nxisin Kryeministrin Rama të shkëputet nga lidhjet me kriminelët e të luftojë krimin.
Sikurse e kanë treguar qartë, rastet e Lul Berishës, Klement Balilit, Elvis Roshit, Armando Prengës, Artur Bushit, Tërmet Peçit, etj, njerëzit dhe organizatat kriminale përbëjnë sot një nga shtyllat kryesore mbi të cilën mbahet në këmbë qeverisja e Edi Ramës.Rama ka humbur çdo lloj kontrolli mbi institucionet dhe pushtetin e ligjshëm dhe tashmë është vegël dhe peng i disa prej kriminelëve dhe interesave më të fuqishme kriminale.Rama i përdori kriminelët për të marrë pushtetin politik, tani ata po e përdorin Edi Ramën për të fuqizuar pushtetin e krimit.
I bëj thirrje faktorit ndërkombëtar dhe përfaqësuesve të tyre në Tiranë të ushtrojnë gjithashtu trysni ndaj qeverisë dhe kryeministrit Rama për ta detyruar atë të marrë veprime të menjëhershme kundër krimit të organizuar dhe për të filluar urgjentisht procesin e dekriminalizimit të politikës.Krimi i organizuar në Shqipëri është sot një rrezik për të gjithë.
Kërkesa e PD-së për shkarkimin e Zotit Dako vjen një ditë pasi në media u bë publike se Zoti Dako i ka siguruar kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berishës një vend punë në bashki pas lirimit. Sipas vendimit të Gjykatës, letra e Zotit Dako për punësimin në Bashki ka qenë vendimtare për vendimin e gjyqtarëve për ta liruar Berishën.
Ambasadori amerikan Donald Lu e quajti vendimin për lirimin e Lulzim Berishës si “të papranueshëm” të gjykatave të korruptuara.
Lulzim Berisha u arrestua në prill të vitit 2006 dhe akuzohej për vrasjen e pesë personave, për kryerjen e dhjetëra atentateve dhe për krijimin e një organizate kriminale. Ai u dënua me 25 vjet burg nga Gjykata e Lartë në vitin 2014 dhe u lirua më 5 dhjetor 2016.