Të premten, 30 organizata të mbrojtjes së të drejtave të njeriut i bënë thirrje Kuvendit të mos miratojë propozimin e qeverisë për ndryshimin e kodit penal, ku ka kërkuar dënime të ashpra për ata që thyejnë masat e kufizimit të lëvizjeve nën epidemi.
Mazhoranca i propozi të enjten Kuvendit që në kodin penal të përfshihen ndëshkime të ashpra me burg nga 6 muaj deri në 15 vite për ata që shkelin karantinën.
Tridhjetë organizata të shoqërisë civile, mes të cilave edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, e konsiderojnë propozimin si johuman, në raporte disporporcionale dhe që mund të krijojë bazë për vendime arbitrare.
Në një deklaratë të përbashkët, të shpërndarë për mediat (kliko këtu për të lexuar deklaratën) organizatat vënë në dukje faktin se ndryshimet po kërkohen pa u mbështetur në ndonjë studimi të thelluar mbi nevojën e më shumë masave të ashpra.
“Propozimet ligjore parashikojnë dënime tejet të ashpra që shkojnë deri në 15 vite burg dhe cenojnë dinjitetin njerëzor, në kushtet kur shumica dërrmuese e shtetasve shqiptarë janë kufizuar nga liria e lëvizjes dhe po qëndrojnë të izoluar në banesat e tyre.
Këto dënime janë jopropocionale, pasi çdo dënim duhet të jetë në një raport të drejtë me rrezikshmërinë e veprës penale dhe me shkallën e fajit të autorit,”
Për këtë organizatat kërkojnë që Kuvendi të mos i miratojë propozimet.
Organizatat e shoqërisë civile kanë kundërshtuar shpesh propozime ligjore të qeverisë.
Ligji për mediat on-line (paketa anti-shpifje) apo për luftimin e krimit të organizuar (paketa anti-KÇK) janë disa nga nismat më të kritikuara.
Në një kohë kur vendi është pa Gjykatë Kushtetuese funksionale, qeveria ka treguar moskokëçarje dhe i ka miratuar ato.
Aktualisht dy nismat ligjore janë kthyer për rishqyrtim nga Presidenti Ilir Meta, ndërsa për paketën anti-shpifje BE ka ushtruar trysni që propozimet të rishikohen.