Rrëmuja e reformës në drejtësi rrezikon mosformimin e institucioneve kushtetuese për vite

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Rrëmuja e reformës në drejtësi rrezikon mosformimin e institucioneve kushtetuese për vite

Më parë, kam shpjeguar procesin e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe arsyet se pse është e pamundur që KLGJ të krijohet me anëtarët të cilët e kanë kaluar tashmë vetingun.

Të njejtin fat ka tani Këshilli i Lartë i Emërimeve (KED). Kjo do të thotë se asnjë anëtar i Gjykatës Kushtetutese nuk mund të zgjidhet deri sa të formohet KED-ja e re, duke qenë se KED-ja ka rolin kushtetues të vlerësimit dhe renditjes së kandidatëve për anëtarë të rinj të Gjykatës Kushtetuese, të cilët zgjidhen nga Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë.

Në ndryshimi nga KLP-ja dhe KLGJ-ja, KED-ja tashmë është krijuar dhe ekziston. Por ky fakt është vetëm fillimi i të gjithë lëmshit. Anëtarët e KED-it që aktualisht po i nënshtrohen vetingut janë ata që u zgjodhën në vitin 2017. Në një vendim të datës 1 dhjetor 2017, KPK hapi dosjet e kandidatëve të KED-së: Brikena Ukperaj, Ervin Metalla, Gentjan Medja, Kastriot Selita, Altina Xhoxhaj, Besnik Imeraj, Fatjona Memçaj, Gentian Trenova dhe Rovena Gashi, anëtarët e atëhershëm të KED-së.

Në janar të 2018, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi vendosi të zgjedhë, në shkelje të Kushtetutës, një KED të re, e cila pjesërisht mbivendosej me KED-në e vitit 2017, çfarë e detyroi KPK-në që më 16 janar 2018 të hapte edhe dosjet e Enton Dhimitrit, Sotiraq Lubonjës, Fatos Qatos dhe Ahmet Jangullit. Dosjet e dy anëtarëve të tjerë të rinj të KED-së, Artan Broci dhe Shkelzen Selimi, ishin hapur që më 1 dhjetor 2017, duke qenë se konkuronin për një tjetër institucion prioritar.

Për këtë arsye ka disa magjistratë të cilët po vetohen si “anëtarë të KED-së” edhe pse ata tashmë janë zëvendësuar dhe nuk janë më pjesë e KED-së së vitit 2018.

Kjo situatë është e ngjashme me situatën me të cilën po përballet KLP-ja, disa nga kandidatët, të cilët tashmë kanë ndryshuar pozicion nga ai që kishin kur aplikuan dhe tani nuk është më e qartë nëse ata janë kandidatët në funksionin e tyre të mëparshëm apo atë të tanishëm (që ka rëndësi për plotësimin e kushteve të tyre—KLP përbëhet nga një numër i caktuar prokurorësh për çdo nivel të sistemit të prokurorisë.)

Kjo situatë e paqartë e bën edhe më tronditës faktin që me qëllim që të përshpetojë emërimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetutese, Delegacioni i BE-së ka propozuar në një memo të brendëshme, që të anashkalohet vetingu për të gjithë anëtarët e tanishëm të KED-së në mënyrë që ata të konfirmohen dhe të fillojnë renditjen e kandidatëve për gjykatat e larta edhe pse mandati i tyre tashmë ka përfunduar. Për fat, qeveria Rama nuk është treguar (akoma) aq e pafytyrë sa të zbatojë këshillën e Delegacionit të BE-së.

Duke e lënë mënjanë këtë rebus ligjor, le të shohim anëtarët akualë të KED-së dhe vetingun e tyre

  1. Artan Broci (Gjykata e Lartë)
  2. Besnik Imeraj (Gjykata Kushtetuese)
  3. Altina Xhoxhaj (Gjykata Kushtetuese)
  4. Rovena Gashi (Prokuroria e Përgjithshme)
  5. Gentian Trenova (Prokuroria e Apelit)
  6. Fajtona Memçaj (Prokuroria e Apelit)
  7. Enton Dhimitri (Gjykata e Apelit)
  8. Fatos Qato (Gjykata e Apelit)
  9. Ahmet Jangulli (Gjykata Administrative)
  10. Vitore Tusha (Gjykata Kushtetuese, zevendësues)
  11. Shkëlzen Selimi (Gjykata e Lartë, zëvendësues)
  12. Sotiraq Lubonja (Gjykata e Apelit, zëvendësues)

Zyrtarisht, KED përbëhet nga 9 anëtarë, të shpërndarë, në bazë të nenit 149/(3) të Kushtetutës, si më poshtë:

  • Dy gjyqtarë të Gjykatës Kushttuese
  • Një gjyqtar i Gjykatës së Lartë
  • Një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme
  • Dy gjyqtarë nga Gjykatat e Apelit
  • Dy prokurorë nga prokuroritë e Apelit
  • Një gjyqtar nga gjykatat Administrative

Deri tani, dy anëtaret e KED-së nga Gjykata Kushtetuese, Altina Xhoxhaj dhe Besnik Imeraj, u shkarkuan nga KPK-ja, ndërsa anëtarja zëvendësuese, Vitore Tusha, u rikonfirmua në detyrë. Më 12 korrik, Xhoxhaj e apeloi vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA)

Të dy anëtarët nga Gjykata e Lartë, Artan Broci dhe Shkëlzen Selimi, janë në pritje të vetingut, ndërsa prokurorja Rovena Gashi nga Prokuroria e Përgjithshme u shkarkua.

Tre gjykatësit e gjykatave të apelit, Enton Dhimitri, Sotiraq Lubonja dhe Fatos Qato po presin t’i nënshtrohen vetingut. Nga prokuroritë e apelit, Gentian Trenova u shkarkua, ndërsa Fatjona Memçaj kaloi.

Nga Gjykata Administrative, Ahmet Jangulli mbetet për t’iu nënshtruar vetingut.

Kjo do të thotë se pasi ka përfunduar raundi i parë i vetingut, duhet të zëvendësohen 6 nga 9 anëtarët e KED-së. Kjo do të thotë se të paktën duhet të kryhet një proces i ri aplikimi, një rizgjedhje e re e pjesshme dhe një tjetër proces i ri i mundshëm vetingu.

Ekziston gjithashtu edhe një një rrezik i vogël se formimi i një KED-je të re do të bëhej i pamundur nga ana kushtetuese. Bordi Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) i ka kërkuar Komisionerit Publik apelimin e vendimit të KPK-së për konfirmimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dede.

Nëse Komisioneri Publik vendos ta apelojë vendimin dhe Kolegji i Pavarur i Apelimit vendos ta shkarkojë Bashkim Deden, atëherë Gjykata Kushtetuese do të mbetej me një anëtarë të vetëm, Vitore Tushën. Dhe duke qënë se KED kërkon dy anëtarë nga Gjykata Kushtetuese për të emëruar anëtarët e tjerë të kushtetueses, do të bëhet edhe teorikisht e pamundur të formohet Gjykata Kushtetuese pa ndryshuar edhe një herë Kushtetutën. Kjo do të thotë që Bashkim Dedja duhet të mbetet gjykatës në Gjykatën Kushtetuese në mënyrë që të jetë në gjendje të zgjedhë kolegët e ardhshëm.

Në ndryshim nga KLP-ja dhe KLGJ-ja, ka edhe një ndërlikim të mëtejshëm të çështjes së KED-së, sepse ajo rizgjidhet çdo vit me mandat një vjeçar. KED-ja duhet të arrijë të formohet me 9 anëtarë të cilët të kenë kaluar me sukses vetingun dhe të cilët duhet të arrijnë të rendisin kandidatët për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese para fundit të vitit. Në dhjetor, sipas Kushtetutës, duhet të zgjidhet një KED e re që do të shërbejë gjatë vitit 2019, i cili duhet t’i nënshtrohet vetingut para se të fillojë të rendisë anëtarët e Kushtetueses, duke e filluar kështu ciklin nga e para. Kjo gjë, në skenarin më të keq, do të sjellë një shtyrje të afatit për formimin e Gjykatës së re Kushtetuese derisa të gjithë prokurorët dhe gjykatësit e zgjedhur të kenë kaluar vetingun.

Teorikisht ky proces mund të vazhdojë për disa vjet deri sa të ketë mbaruar vetingu i të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve të vendit, që do të thotë që ka një mundësi, sado të vogël teorike, që Gjykata Kushtetuese të mos zgjidhet për disa vjet.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>