Ministrja Ogerta Manastiriu njoftoi të hënë se kanë nisur vaksinimin e mjekëve të Pediatrisë Infektive.
Gjatë një vizitës në stadiumin Air Albania, Manastirliu pohoi se po vaksinohen 42 mjekë dhe infermierë të spitalit të Pediatrisë.
Ajo tha se në total janë vaksinuar 447 mjekë, infermierë dhe epidemiologë.
“Do të vijojmë me administrimin e vaksinës sipas planeve tona, qoftë përsa i përket marrëveshjes me Pfizer dhe gjithashtu edhe marrëveshjes me Covax-in. Do të kemi një informacion më të detajuar për lëvrimin e dozave të Covax, shpresojmë brenda kësaj jave, për të vijuar pikërisht edhe me planin tonë të vaksinimit për kategoritë e riskuara, që janë mjekët dhe infermierët, gjithashtu me vaksinimin e të moshuarive në Shtëpitë e të Moshuarve si edhe me vaksinimin e kombinuar duke vijuar me të moshuarit mbi 75 vjeç”, vijoi më tej Manastirliu.
Ditën e martë u vaksinuan 60 mjekë, infermierë dhe epidemiologë në stadiumin Air Albania. Të hënën u vaksinuan të parët Shefja e Shërbimit Infektiv në QSUT, Najada Çomo, kryeministri Edi Rama dhe mjekët e spitalit Infektiv dhe Sanatorium, të cilët po shërbejnë si spitale Covid.