Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti tha se qeveria e tij do ta shqyrtojë vendosjes e ambasadës së Kosovës në Jersualem dhe shtoi se marrëdhëniet me Izraelin “janë të rëndësishme” për Kosovën.
Të hënën ai pati një takim me ambasadorin e Turqisë Çagri Sakar.
“Rreth vendit se ku do të vendoset ambasada është një çështje që do të shqyrtohet duke parë edhe dokumentacionin e qeverisë në ikje”, njoftoi LVV.
Në raport me Turqinë Kurti tha se qeveria e tij do të fokusohet në marrëdhëniet bilaterale “posaçërisht në fushën e zhvillimit ekonomik”.
Ambasadori Sakar ka uruar Kurtin për rezultatin e zgjedhjeve, duke theksuar se Turqia është e interesuar të bashkëpunojë me qeverinë e ardhshme.
Në shtator 2020, Turiqa e dënoi vendimin e zhvendosjes së ambasadës serbe dhe hapjen e ambasadës kosovare në Jeruzalem.
“Ne u bëjmë thirrje të gjitha vendeve të respektojnë rezolutat e Kombeve të Bashkuara të miratuara për këtë çështje, të respektojnë statusin historik dhe ligjor të Jeruzalemit dhe të përmbahen nga hapat që do ta bëjnë zgjidhjen e konfliktit Izraelito-Palestinez edhe më të vështirë”, tha Turqia.
Turqia ka thënë me herët se qëllimi i autoriteteve të Kosovës për të hapur ambasada të ndërsjella me Izraelin u prit me zhgënjim nga Turqia sepse hapi shkel ligjin ndërkombëtar.
Po ashtu edheBashkimi Europian kritikoi vendimin e Kosovës për të hapur ambasadën e saj në Jeruzalem.
Më 1 shkurt 2021, Izraeli njohu pavarësinë e Kosovës dhe dy vendet vendosën marrëdhënie diplomatike mes tyre. Izraeli u bë shteti i 117 që njeh pavarësinë e Kosovës.