Qeveria shqiptare dhe ajo turke nënshkruan më 6 janar në Ankara pesë marrëveshje, midis të cilave edhe mbi arsimin.
Kjo e fundit ka hyrë zyrtarisht në fuqi të enjtën, pas botimit në Fletoren Zyrtare më 24 shkurt.
Marrëveshja do të jetë në fuqi për një periudhë 5-vjeçare, me mundësinë e zgjatjes për një periudhë 3-vjeçare.
Marrëveshja, mes të tjerash, parashikon:
- nxitjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit apo botimeve shkencore në fushat e arsimit;
- bashkëpunimin në përmirësimin e kurrikulave;
- nxitjen e shkëmbimeve mes stafeve dhe nxënësve;
- pjesëmarrjen reciproke ne seminare, ekspozita, konferenca dhe studime shkencore ;
- bursa per student të vendeve respektive sipas mundësive financiare;
- do të punohet për barazimin e diplomave mes dy vendeve.
Një nga pikat më të rëndësishme të marrëveshjes është nxitja për futjen e gjuhëve shqipe dhe turke në kurrikulat arsimore respektive.
“Palët do të inkurajojnë mësimdhënien dhe nxënien e gjuhës zyrtare të palës tjetër, si dhe letërsinë dhe kulturën e palës tjetër, brenda sistemit të tyre arsimor,” shkruhet në marrëveshje.
Palët do të krijojnë një Grup Pune të Përbashkët për Arsimin në mënyrë që të lehtësojnë zbatimin, mbikëqyrjen dhe vlerësimin e kësaj marrëveshjeje përmes dërgimit periodik të raporteve drejtuar institucioneve përkatëse.