Kryeministri Edi Rama uroi të mërkurën përmes një letre kreun e Vetëvendosjes Albin Kurti për qeverinë e re.
Rama i ka shkruar Kurtit në letër se “besoj fort se tashmë ekzistojnë të gjitha mundësitë dhe potencialet për ndërmarrje të rëndësishme e projekte të guximshme në shumë sektorë, përfshirë përballjen e përbashkët me COVID-19”.
“Këto ndërmarrje do t’i kontribuojnë përmirësimit të jetës dhe përparimit e integrimit më të shpejtë të shqiptarëve”, ka shkruar Rama.
Kryeministri i ka bërë ftesë Kurtit për nj vizitë në Shqipëri. Rama u shpreh në letër se beson se qeveria e Kurtit do të kapërcejë me sukses sfidat me të cilat prrallet Kosova.
Kreu i PD Lulzim Basha uroi qeverinë Kurti menjëherë pas votimit të saj në Kuvendin e Kosovës.
Qeveria Kurti u votua të hënën në Kuvendin e Kosovës me 67 vota pro dhe 30 kundër. Lëvizja Vetëvendosje doli fituese në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit në Kosovë me 50.28% të votave.
Kurti vizitoi për herë të fundit Shqipërinë më 2 mars, ai ishte në Lezhë për të kujtuar 577 vjetorin e Beslidhjes së Lezhës.
Më pas ai u takua me kreun e Partisë Demokratike në Shqipëri Lulzim Basha, me kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Ilir Meta.
Nga zyrat e LVV në Shqipëri Kurti dha një deklaratë për mediat, ku tha se “do të ketë marrëdhënie të mira me kryeministrin e ri të Shqipërisë pas zgjedhjeve të 25 prillit”.