Tre koncesionet e kushtueshme të shëndetësisë – Exit shpjegon

Tre koncesionet e kushtueshme të shëndetësisë – Exit shpjegon

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimin ndaj Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, pas padisë së PD-së për shpërdorim detyre në lidhje me koncesionin e kontrollit falas të popullatës nga 40 -65 vjeç (Check–Up Falas), disa ditë më parë.

Kjo nuk është hera e parë që Ministri Beqaj ndiqet penalisht. Në dhjetor të vitit 2015, Prokuroria e Krimeve të Rënda, përveç koncesionit të Check–Up-it Falas hetoi edhe dy koncesione të tjera: atë të sterilizimit të aparaturave mjekësore dhe të shërbimit të hemodializës. Në kuadër të këtij hetimi, Prokuroria mori në pyetje shumë nëpunës të ministrisë dhe sekuestroi dokumentet përkatëse.

Kostoja e këtyre koncesioneve, ose më mirë e Partneriteteve Publike Private (PPP), ka qenë një taksë e rëndë për buxhetin e vendit. Në total, koncesionet e Check–Up-it, sterilizimit dhe hemodializës do të kushtojnë 21.8 milionë euro në vit për 10 vite rresht.

Sterilizimi i pajisjeve mjekësore

Sterilizimi i pajisjeve mjekësore kushton 71 milionë euro pa TVSH për 10 vitet e ardhshme. Ky është koncesioni më i madh i dhënë nga Ministria e Shëndetësisë.

Vitin e shkuar, Reporter.al publikoi një hetim për procedurat e konsorciumit fitues të këtij koncesionit Investital llc, Servizi Italia spa, U.Jet srl dhe Tecnosanimed.

Ilir Rrapaj dhe Kryeministri Rama në Pallatin e Brigadave Burimi © Facebook
Ilir Rrapaj dhe Kryeministri Rama në Pallatin e Brigadave Burimi © Facebook

Investital, kompania kryesore, është e regjistruar në Kosovë me pronar biznesmenin Ilir Rrapaj. Rrapaj nuk ka asnjë eksperiencë në fushën e shërbimeve mjekësore; kompania e tij në Itali – në fushën e “artizanaleve” – ka vetëm një punonjës dhe kapital të vogël.

Pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste më 2013, Rrapaj u kthye në Shqipëri dhe ndërtoi një marrëdhënie të ngushtë me Ministrin Beqaj. Ai e prezantoi atë dhe me ortakët e tij italianë. Rrapaj mori pjesë në një aktivitet të qeverisë në nëntor të 2013-ës dhe në shkëmbim, Ministri Beqaj udhëtoi për në Perugia në dhjetor të 2013-ës, ku u takuan sërish. Ministri Beqaj udhëtoi dhe disa herë të tjera për në Perugia dhe firmosi disa marrëveshje me institucionet vendore, gjithmonë në prani të Zotit Rrapaj.

Në dhjetor të viti 2013, Ministrisë shqiptare e Shëndetësisë dhe Universiteti i Bolonjës firmosën një memorandum bashkëpunimi, në të cilin përfihej edhe një bashkëpunim me grupin e kompanive italiane, Polo Biomedical Umbria . Tre kompanitë, të cilat fituan tenderin e sterilizimit, Servizi Italia, U.Jet, and Tecnosanimed janë pjesë e këtij grupi mjekësor.

Procedurat e tenderit u hapën në 4 maj të 2015-ës dhe u kundërshtuan shumë. Përvec konsortiumit të drejtuar nga kompania Investital, pronë e Zotit Rrapajt, një tjetër konsorcium italo- shqiptar mori pjesë në tender. Ai drejtohej nga kompania Action Laundry, e themeluar në Durrës, e cila bëri një ofertë 25 për qind më të ulët se sa konsorciumi Investital. Pavarësisht ndryshimit të madh në vlerën e ofertës, Investital fitoi me 73.89 pika kundër kompanisë Action Laundry me 42.83 pikë.

E pyetur nga BIRN, për diferencën ndërmjet dy ofertave, Ministria e Shëndetësisë u përgjigj se vlera prej 1 miliardë lekë në vit e dalë në media është e “tërësisht e pavërtetë” dhe një gënjeshtër e krijuar nga bashkimi i kompanive konkurrente, duke rritur artificialisht numrin e ndërhyrjeve kirurgjikale. Pavarësisht pretendimit të Ministrisë, buxheti i koncesionit për vitin 2017 është 9.1 milionë euro për vit.

Bashkimi i kompanive Investital krijuan një kompani të re të quajtur Saniservice shpk, e cila menaxhon koncesionin. Zoti Rrapaj zotëron 40 për qind të kompanisë së re, (paçka se ai nuk ka asnjë përvojë në fushën e shëndetësisë). Ndërsa Servizi Italia ka 30 për qind, Tecnosanimed 15 për qind dhe U.Jet 15 për qind.

Hemodializa

Kontrata për shërbimin e hemodializës me kohëzgjatje prej 10 vjet, me një vlerë të përgjithshme prej 63.5 milionë euro pa TVSH.  Qëllim i saj është dhënia e shërbimit të hemodializës në Tiranë, rindërtimi i hapësirave mjekësore në Vlorë e Shkodër, dhe krijimi i tre qendrave shëndetësore në Lezhë, Korçë dhe Elbasan, sipas standardeve shëndetësore.

Investimet janë të nevojshme, sepse kapacitete e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza në Tiranë nuk janë të mjaftueshme për t’i dhënë shërbim të gjithë qytetarëve. Shumë pacientë ndiqen në spitale private si Spitali Amerikan dhe Hygeia. Gjatë vitit 2014, Spitali Amerikan ka marrë rreth tre herë më shumë pacientë nga QSUT se sa Hygeia.

Ministria e Shëndetësisë hapi procedurën për tenderin e hemodializës në maj të viti 2015. Sipas një tjetër investigimi të Reporter.al, kompania përfaqësuese e  bashkimit të kompanive që fituan tenderin, Evita shpk, ështe një kompani e cila vepron në fushën e farmaceutikës. Sipas dokumenteve publike, Evita, e themeluar në maj të vitit 2013, u rrit shpejt nën qeverinë Rama, nga një kapital prej 736 euro në 221,735 mijë euro në vitin  2015.

Pronarja e kompanisë Evita, Majlinda Fetiu, nuk ka asnjë shkollim në farmaceutikë apo ndonjë profesion tjetër në fushën e shëndetësisë; ajo është kushurira e administratorit të spitalit Amerikan Klodian Allajbeu. Administrator i Evitës është një ish-nëpunës i të njëjtit spital, dhe Evita ka adresë zyrtare katin e dytë të ndërtesës së spitalit amerikan.

Evita e fitoi tenderin e hemodializës në konkurrim me tetë ofertues, edhe pse ishte kompania e dytë me ofertën më të lartë. Është e paqartë se cilat kritere  e kthyen kompaninë Evita në të preferuarën e qeverisë. Ajo nuk ka asnjë eksperiencë të mëparshme në dhënien e shërbimit të hemodializës.

Pas publikimit të hetimit të Reporter.al, faqja zyrtare e propagandës qeveritare Transparenca.al njoftoi se Evita ka garuar së bashku me Spitalin Amerikan.

Spitali Hygeia mori pikët maksimale (30) për sa i përket pagesës për pacient në krahasim me Evitën/ Spitalin Amerikan (28.66). Por, ajo u vlerësua meme 3.26 pikë për kriterin e   “eksperincë në tre vitet e fundit,” ndërsa Spitali Amerika/ Evita u vlerësuan me 10 pikë për të njëjtën kategori, edhe pse të dy spitalet kanë qenë njësoj të suksesshme në shërbimin e hemodializës.

Një shënim në dokumentat e tenderit sqaron hilen: “Kriteri i specifikuar në këtë tabelë me emrin “eksperiencë gjatë tre viteve të fundit” matet me numrin mesatar të pacientëve të shërbyer në tre vitet e fundit.”

Kjo sqaron arsyen pse Evita/Spitali Amerikan u vlerësuan tre herë më shumë: Spitali Amerikan në menyrë arbitrare ka marrë tre herë më shumë pacientë nga QSUT për tre vitet e fundit. Më fjalë të tjera, vendosja e një kriteri vetëm në numrin e pacientëve e bëri të sigurtë fitoren e bashkimit të kompanive Evita/Spitali Amerikan, pavarësisht nga vlera e ofertës.

Si rrjedhim, Spitali Amerikan efektivisht ka nxjerrë Hygeian jashtë tregut dhe ka krijuar një monopol virtual për 10 vitet e ardhshme, me një çmim të paracaktuar, nëpërmjet një procedure e cila favorizon numrin e mëparshme të pacientëve, dhe jo domosdoshmërish cilësinë e shërbimit të ofruar.

Ashtu si edhe në rastin e koncesionit të sterilizimit, një kriter i fshehtë i qepur sipas një kandidati të caktuar, është mënyra e gjetur nga qeveria për të shpallur fitues klientët e saj.

Në korrik të 2016-ës, katër persona humbën jetën në klinikën e hemodializës në Spitalin Amerikan, pasi një pacient i vuri zjarrin një pacienti tjetër me benzinë, pas një debati për radhën e marrjes së shërbimit.

E gjithë klinika u dogj, ndërsa spitali amerikan i bëri presion medias të heqin emrin e spitalit nga lajmet, duke i kërcënuar me ndërprerje të reklamave.

Për më shumë, spitali nuk pranoi të japi detaje për procedurën e hemodializës, pajisjet mjekësore të gatshme apo kushtet në të cilat procedura mjekësore zbatohet.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>