Partia Socialiste i ka propozuar, pak ditë më parë, komisionit të Reformës Zgjedhore që të bëjë regjistrimin e të gjitha portaleve online në Bordin e Monitorimit të Medias. Në rast se portalet nuk regjistrohen brenda afateve, qeveria ka të drejtë t’i mbyllë ata gjatë periudhës së fushatës zgjedhore. Ky vendim vlen edhe për portalet e regjistruara në servera jashtë Republikës së Shqipërisë.
Duket se nisma e deputetëve të PS ka marrë shkas nga sulmet e shumta që Kryeministri Rama i ka bërë portaleve online kohët e fundit. Në monologët e tij të së dielës, Kryeministri Rama shpeshherë i ka quajtur gazetarët e portaleve, ato që kritikojnë qeverinë, “politikanë të dështuar që janë plot mllef dhe hakmerren për dështimin e tyre studio më studio, portal më portal, duke u shfaqur me maskën e analistit.”
Në kundërshtim me deklaratat e Zotit Rama, në përfundimet e OSBE-ODIHR për zgjedhjet vendore të 2015-ës, në kapitullin ku flitej për median, e vetmja gjë e cila vlerësohej pozitivisht ishte pikërisht pavarësia dhe këndvështrimi ndryshe i disa portaleve online.
Në raportin e OSBE-ODIHR shkruhej:
“Megjithatë, nuk ka ndërhyrje në lirinë e internetit, dhe lajmet në internet gjithnjë e më shumë ndihmojnë në pluralizëm, për shkak të autonomisë së tyre më të madhe editoriale dhe hapësirës për këndvështrime alternative.”
Ndërsa për Bordin e Monitorimit të Medias (BMM) ku duhet të regjistrohen këto portale dhe Autoritetin e Medias Vizive (AMA) OSBE-ODIHR shprehet se :
“Bordi i Monitorimit të Medias kishte mungesë stafi, pajisjesh dhe metodologjie për të monitoruar në mënyrë efektive numrin e madh të transmetuesve ose tonin e mbulimit mediatik.”
“Autoriteti i Medias Audiovizive (AMA), nuk zhvillon monitorim cilësor dhe sasior të përmbajtjes, përsa i përket mbulimit të aktorëve politik gjatë zgjedhjeve. Për më tepër, bashkëbiseduesit e MVZ-së së OSBE/ODIHR-it, kritikuan mungesën e pavarësisë politike të AMA-së.”
Pra duket se Partia Socialiste dhe qeveria kanë shpërfillur totalisht raportet e OSBE-ODIHR lidhur me procesin zgjedhor. Ata, përveç propozimit të mësipërm që bie në kundërshtim me raportet e OSBE-ODIHR, nuk kanë marrë asnjë nismë për të plotësuar rekomandimet për zgjedhjet 2017, që vërtetë do të ndikonin në përmirësimin e procesit zgjedhor.
Asnjë propozimin nga shumica nuk ka ardhur për rekomandime si:
- Sigurimi i lirisë financiare dhe editoriale nga qeveria të transmetuesit publik;
- Publikimi i të dhënave për mediat si: pronarët, administratorët, emrat e gazetarëve në media, për të rritur transparencën dhe besueshmërinë e tyre;
- Heqja e dënimit me burg për veprën e shpifjes, siç e parashikon ligji i medias. Ky ligj bie në kundërshtim me standardet evropiane;
- Shfuqizimi i nenit 84.1 të Kodit Zgjedhor, pra ndalimi i transmetimit në media të video-mesazheve të prodhuara nga partitë politike;
- Depolitizimi i anëtarëve të AMA-s dhe emërimi i tyre në një mënyrë që të siguroj pavarësinë e saj nga ndikimi politik;
- Publikimi nga partitë politike, përpara datës së zgjedhjeve, të një raporti paraprak shpenzimesh gjatë fushatës, ç’ka do të rriste transparencën dhe besueshmërinë;
- Përcaktimi me ligj i afatit kohor për dorëzimin e raporteve financiare, pas zgjedhjeve, pranë audituesve të emëruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve;
- Sigurimi i sekretit të votës dhe integritetit në procesin e votimit;
- Shit-blerja e votës të dënohet me ligj dhe të merren të gjitha masat e nevojshme për ta parandaluar atë;
- Ndërmarrja e hapave të qartë për parandalimin, hetimin, dhe ndjekjen e çdo lloj prove presioni ose intimidimi të punonjësve të administratës publike, sidomos gjatë fushatës zgjedhore.