Qeveria pranon 20 emigrantë për të ndihmuar Italinë—Rama vazhdon të vetëofrojë “ndere” në shkëmbim të mbështetjes

Qeveria pranon 20 emigrantë për të ndihmuar Italinë—Rama vazhdon të vetëofrojë “ndere” në shkëmbim të mbështetjes

Shqipëria do të strehojë 20 nga 150 emigrantët e paligjshëm nga Eritrea të bllokuar në anijen Diciotti, në brigjet e Italisë. Pjesa tjetër e emigrantëve do të strehohet në Irlandë dhe në Vatikan. Sipas Agjensisë së Lajmeve ANSA, Zëvendësministri italian Matteo Salvini u shpreh i kënaqur me arritjen e marrëveshjes me Shqipërinë dhe Vatikanin.

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, përmes një postimi në anglisht dhe italisht në Twitter u shpreh i gatshëm të ndihmojë Italinë në emër të qeverisë shqiptare për pritjen e 20 emigrantëve, duke u shprehur se “ne nuk mund të zëvendësojmë Evropën, por jemi gjithnjë këtu, nga ana tjetër e një deti, ku dikur ishin ne ata eritreanët, që vuajnë prej ditësh e netësh në mes të detit, në pritje që të zgjohet Evropa! Dje Italia na shpëtoi. Sot jemi gati të japim një dorë”.

Ky vendim i qeverisë është një tjetër përpjekje e Kryeministrit Edi Rama për të siguruar mbështetje perëndimore për pushtetin e tij, duke marrë përsipër në emër të Shqipërisë rreziqe e kosto për zgjidhjen e problemeve me të cilat ndeshen vendet perendimore.

Kjo lloj manovre politike është përdorur disa herë të tjera nga Kryeministri Rama për të garantuar mbështetje ndërkombëtare në kushtet kur ai ka qenë duke u përballur me akuzat për lidhje apo mbështetje për trafikun e drogës dhe të krimit.

Në qershor të vitit 2018, Kryeministri Rama në një takim me Kancelarin austriak Kurtz shpejtoi të vetëofroi Shqipërinë si një vend-ndodhje të mundshme për ngritjen e kampeve pritëse të emigrantëve të paligjshëm të kthyer mbrapsht nga vendet e BE-së.

Po në vitin 2018, qeveria Rama pranoi që Shqipëria të bëhej vend për pritjen dhe rehabilitimin e ish-luftëtarëve të ISIS që kthehen nga Siria dhe Iraku.

Në 2016, qeveria shqiptare pranoi të strehojë tre mijë ish-muxhahedinë iranianë—duke i zgjidhur SHBA-ve një nga kokëçarjet më të mëdha të tërheqjes së tyre nga Iraku—në këmbim të vizitës së Ramës dhe Tahirit në Shtepinë e Bardhë ku u takuan me Presidentin Obama.

Tre vite më parë, Kryeministri Rama pranoi sjelljen dhe demontimin në Shqipëri të armëve kimike siriane në shkëmbim të një telefonate me Presidentin Obama dhe një ftese për në Shtëpinë e Bardhë. Për t’ja garantuar këtë gjë, Presidenti Obama i shkroi letër Kryeministrit Rama ku, ndër të tjera, i shprehte dëshirën për ta ftuar për vizitë zyrtare në SHBA. Protestat qytetare e detyruan Zotin Rama të tërhiqet, por vizitën ai e arriti më pas me favorin e muxhahedinëve.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>