Komisioni Europian kritikoi qeverinë për dhënien pa kontroll të kontratave të Partneritetit Publik-Privat, të cilat tashmë kanë arritur në nivelin më të lartë historik për Shqipërinë – sa 31 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Për më tepër, KE parashikon që vetëm në vitin 2019, qeveria të japë të tjera kontrata PPP, me vlerë sa 15 për qind e PBB-së:
“PPP-të kanë arritur një vlerë prej 31 për qind të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) dhe pritet të shtohen edhe me 15 pikë qindje në 2019-n.”
Në raportin për vlerësimin e programit të pestë të reformave ekonomike që mbulon vitet 2019-2021, hartuar nga qeveria shqipare, KE thekson se rritja e mëtejshme e kontratave PPP do të sjellë dhe një rritje në borxhin publik, i cili që tani është në nivele shumë të larta (rreth 70 për qind e PBB-së).
Komisioni Europian ngre shqetësimin se këto kontrata po jepen pa bërë analizat e nevojshme të riskut dhe pa bërë një matje të raportit kosto-përfitim. Duke bërë këto analiza, shteti do të mund të zvogëlonte shumë risqet fiskale që vijnë nga këto lloj kontratash, shumë të kritikuara dhe nga institucione të tjera financiare ndërkombëtare.
Po ashtu, KE shkruan se qeveria shqiptare po shton dhënien e kontratave PPP, por nuk po shton stafin që monitoron dhe vlerëson këto kontrata dhe projekte komplekse. Sipas KE-së, “kjo do të thotë se detyrimet financiare që lidhen me PPP-të nuk janë duke u vlerësuar tërësisht dhe duke u regjistruar statistikisht.”
Edhe në progres-raportin për vitin 2018, të publikuar në maj 2019, Komisioni Europian kritikoi qeverinë Rama për dhënien pa kontroll, pa garë dhe pa transparencë të kontratave PPP. KE kritikoi mënyrën e ndjekur nga qeveria për të pranuar çdo ‘ofertë të pakërkuar’ që vjen nga kompanitë private, ç’ka sjell uljen e konkurrencës mes kompanive gjatë procesit të tenderimit, – duke qenë se kompania që bën propozimin e pakërkuar pothuaj gjithnjë shpallet fituese e tenderit, kompanitë e tjera nuk kanë interes të marrin pjesë në garë.
Të njëjtat shqetësime për dhënien e PPP-ve pa kriter dhe pa mbikëqyrje, kanë ngritur më herët dhe Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Shqetësimet kryesore të tyre janë mungesa e transparencës dhe konkurrencës, mungesa e analizës së riskut dhe pranimi i propozimeve të pakërkuara nga kompanitë private, të cilat në shumicën e rasteve janë kontrata jofitimprurëse për shtetin dhe barrë mbi pasurinë publike.