Presidenti Ilir Meta ktheu sot për rishqyrtim në Kuvend edhe koncesionin e rrugës Orikum-Dukat.
Në tre ditët e fundit Presidenti ka kthyer ligjin për kufizimin e koncesioneve të pakërkuara, ligjin që miratoi koncesionin e rrugës Milot-Balldren dhe tashmë edhe koncesionin Orikum Dukat.
Meta e ka argumentuar kthimin e radhës sepse:
- ligji dhe kontrata janë propozuar, hartuar dhe miratuar në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës
- është shkelur parimi i konkurrencës së lirë
- është shkelur barazia përpara ligjit
- cënohet interesi publik
- cënon financat e shtetit
- nuk ka pasur transparencë
- nuk ka pasur bazë ligjore konkrete për negocim të kushteve
- nuk ka pasur vlerësim të qartë ekonomik
- nuk ka pasur studim fizibiliteti të plotë
- nuk është dhënë miratim nga Ministria e Financave
- nuk ka përllogaritje të efekteve të këtij investimi në ekonomi
- projektligji për koncesionin nuk është shqyrtuar nga komisionet e ligjit dhe veprimtarive prodhuese
Rruga Orikum-Dukat u dha me koncesion në të njëjtën mënyrë si rruga Milot-Balldren.
Koncesioni u miratua me ligj të posaçëm dhe iu dha kompanisë Gjikuria, e cila kishte paraqitur propozim të pakërkuar për ndërtim dhe mirëmbajtje për 13 vjet.
Kostoja e rrugës rreth 14 kilometra, sipas studimit fillestar të fizibilitetit ishte 50 milionë euro.
Teksa përmend të njëjtat problematika si në rastin e rrugës Milot-Balldren, Meta vëren se vlera totale e investimit do të ishte 70 milionë euro, por që u negociua dhe u ra dakord që të bëhej me 67 milionë euro.
Meta thotë:
Pra, duket qartë se çmimi i dakordësuar midis palëve në vlerën prej 67 359 926 euro është 16,784,906 euro më i lartë se kostoja e projektit t ë publikuar nga vet ë autoriteti kontraktor për konkurrim.
Exit.al pati raportuar për rritjen e kostove që në fillimet e diskutimeve, ndërsa opozita hodhi dyshime për korrupsion dhe pastrim parash.
Njëtë si për rrugën Milot-Balldren, Presidenti thotë se qëllimi i kalimit të këtij koncesioni me ligj në parlament ka qenë “mbulimi i paligjshmërisë së bërë nga qeveria”.
Presidenti sugjeron sërish që edhe ky koncesion të rishqyrtohet pas hyrjes në fuqi të ligjit që i kufizon koncesionet e pakërkuara.
Pra pas datës 1 tetor. Meta e sugjeron këtë gjë duke nënkuptuar që deri atëherë të mos pranohen oferta të tjera për të njëjtin projekt.