Shumica socialiste nuk pranoi asnjë nga rekomandimet e OSBE për projektligjet e medias.
Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Desir hodhi poshtë projektligjin e qeverisë për median, disa ditë më parë, duke rekomanduar ndryshimin e shumë prej neneve.
Siç Exit News argumentoi në një artikull të mëparshëm shumica socialiste deklaroi se këto projektligje synojnë mbrojtjen e qytetarit, por në fakt ligjet synojnë mbrojtjen e qeveritarëve dhe politikanëve nga vështrimi dhe zhbirilimi i medias.
Më poshtë po sjellim rekomandimet e OSBE dhe ligjin e miratuar ditën e sotme.
Rekomandimi i OSBE-së:
- AMA të mos ketë të njëjtat të drejta, kompetenca si në median online ashtu edhe në median audiovizive.
Projektligjin i miratuar nga shumica socialiste zgjeron pushtetin e AMA. AMA do të këtë pushtet jo vetëm mbi median elektronike, që ushtrojnë veprimtarinë në Shqipëri-kanë selinë, vendimarrjen editoriale, por dhe mbi ato të cilat selinë ose vendimarrjen editoriale e kanë jashtë vendit.
Rekomandimi i OSBE-së:
- Media elektronike nuk duhet t’i nënshtrohet mekanizmit të regjistrimit për të ushtruar aktivitetin e tyre në Shqipëri, por ky duhet të jetë një vendim vullnetar.
Neni 37/1 i projektligjit hedh dyshime se mediat elektronike duhet të pajisen me licensë. Konkretisht neni 31/1 pika katër parashikon se “pas mbarimit të afatit të parashikuar në licencën apo autorizimin e lëshuar, AMA fshin nga regjistri ofruesin e shërbimeve të medias elektronike.” Ndërkohë neni 132 parashikon se një nga masat që mund të marri AMA është heqja e licensës apo autorizimit. Mbetet e paqartë si do të bëhet pajisja me licensë dhe çfarë efekti do të ketë ajo.
Rekomandimi i OSBE-së:
- Të mos vendoset bllokimi i hyrjes në internet për të gjithë median, por të urdhërohet bllokimi në aksesin e një informacioni të caktuar (artikulli të caktuar). Pra, të zëvendësohet në ligj termi “bllokoj aksesin në internet” me “urdhëroj heqjen e materialit specifik”.
Por sërish ky rekomandim nuk është pasqyruar, pasi në nenin 132 përcaktohet se “në rast të mosplotësimit të urdhërit brenda afatit të përcaktuar, të bllokojë aksesin në internet”.
Rekomandimi i OSBE-së:
- Të ndryshohet neni 133 i projektligjit i cili parashikon gjobat. Dënimet dhe gjobat duhet të jenë në proporcion me madhësinë dhe kapacitetin financiar të medias.
Ndërkohë gjobat në ligj vazhdojnë të mbeten të larta duke variuar nga 100 mijë lekë deri në 8 milionë lekë, duke mos marrë parasysh madhësinë dhe kapacitetin financiar të medias.
Pavarësisht kundërshtisë së gjërë publike, të mediave dhe shoqatave të tyre dhe të OSBE-së shumica socialiste duket e vendosur të miratojë projektligjet.