“Akuza se mazhoranca po kontrollon drejtësinë, nuk me rezulton se i përket realitetit”. Kështu u shpreh ambasadori italain Alberto Cutillio nga qyteti i Shkodrës.
Deklarata e tij bie ndesh me gjetjet e raportit të Freedom House, organizata e pavarur kryesore në botë për demokracinë dhe të drejtat e njeriut e financuar nga Departamenti amerikan i Shtetit, që e vlerësoi emërimin e Arta Markut me shumicë të thjeshtë, e gjitha socialiste, si goditje ndaj besueshmërisë dhe paanshmërisë së prokurorisë dhe drejtësisë, veçanërisht në kohën kur prokuroria po heton dosjen e ish-ministrit Tahiri.
Ambasadori e vlerësoi reformën në drejtësi, duke iu referuar me fjalët:
“Besoj se reforma e drejtësisë që po bën Shqipëria nuk ka precedent në historinë europiane. Eshtë reformë e thellë dhe vendimtare, por që has në vështirësi në fazën aktuale fillestare”.
Megjithëse ambasadori shprehu shqetësimin e tij për bllokimin e Gjykatës së Lartë dhe për mos plotësimin e Gjykatës Kushtetuese, ai tha se ky është çmimi që duhet paguar për reformën në drejtësi.
Për çështjen Tahiri, ambasadori nuk konfirmoi nëse prokuroria e Katanias po e heton atë. Ai u shpreh se “di që në Katania është një proces që po ecën përpara, që nuk është direkt për ministrin Tahiri, por di atë që dini ju”.
Për tensioni e krijuar midis opozitës dhe maxhorancës për shkak të akuzave të opozitës se vëllai i Ministri të Brendshëm Fatmir Xhafaj drejton trafikun e drogës në Vlorë, Ambasadori shprehet se “Mazhoranca dhe opozita është normale të mos jenë dakort, ndodh kudo. E rendesishme dhe besoj që ka ndodhur deri tani, që raportet të mbesin korrekte”.
Ambasadori italian e quajti emigracioni e paligjshëm si “fenomen të kufizuar” i cili nuk përbën problem. Deklarat e tij bien ndesh me deklaratat e qeverisë e re italiane, në veçanti të Ministrit të Brendshëm Salvini, i cili ka deklaruar disa herë se do të forcojë kufijtë, duke e cilësuar emigracionin e paligjshëm si një nga shkaqet e rënies së sigurisë në Itali.
“Qeveria re lind në bazë të një akordi mes forcave politike, që nuk bën të mendosh asnjë ndryshim në maredheniet me jashtë. Edhe figura e ministrit të jashtëm ma jep këtë garanci të vazhdimësi të politikës jashtme”, — u shpreh Ambasadori Cutillio.
Në fund, ai u shpreh optimist për hapjen e negociatave ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së pavarësisht se sipas tij “ka ende disa vende skeptike për Shqipërinë”.