Çfarë vendimesh kanë marrë KLGJ e KLP deri më tani?

Çfarë vendimesh kanë marrë KLGJ e KLP deri më tani?

Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë në dy mbledhjet e para kanë marrë vendime të rëndësishme për sistemin e drejtësisë, si nisjen e procedurave për të formuar gjykatat speciale kundër korrupsionit, apo zëvendësimin e vendeve vakante në gjykatat e rrethit.

Më poshtë, Exit.al sjell të përmbledhura të gjitha vendimet e KLGJ-së e KLP-së të marra deri më tani.

Vendimet e Këshillit të Lartë Gjyqësor

Këshilli i Lartë Gjyqësor u formua më 12 dhjetor. Më 20 dhjetor, KLGJ u mblodh për herë të parë, dhe me anë të votimit anëtarët zgjodhën si kryetare të saj Naureda Llagamin, anëtare e KLGJ-së që vjen nga shoqëria civile.

Gjatë po së njëjtës mbledhje, e cila vazhdoi me dyer të mbyllura pas zgjedhjes së kryetares, KLGJ mori vendimet e para për të plotësuar vakancat e krijuara në gjykata nga shkarkimet e gjyqtarëve gjatë procesit të vetingut.

Kështu, gjyqtari i Shkodrës Besmir Stroka do të zëvendësojë përkohësisht kryetarin e gjykatës së Pukës Izet Kadana, i cili u shkarkua pak ditë më parë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Më 27 dhjetor, KLGJ zhvilloi mbledhjen e saj të dytë, ku u vendos nisja e procedurave për caktimin e përkohshëm të gjyqtarëve pranë Gjykatave së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar duke i hapur rrugë krijimit të këtyre gjykatave.

KLGJ miratoi dhe mbarimin e statusit të gjyqtarit Metush Saraçi, i cili dha dorëheqjen, dhe vendosi të nisë procesin e komunikimit me institucionet shtetërore kompetente për verifikimin e pasurisë dhe figurës së kandidatëve për magjistratë të diplomuar në vitin 2018.

Vendimet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë

Këshilli i Lartë i Prokurorisë u formua më 11 dhjetor. Më 19 dhjetor, KLP u mblodh për herë të parë ku u zhvillua votimi për kryetar dhe nënkryetar të Këshillit. 11 anëtarët e KLP-së votuan për kryetar Genti Ibrahimin, profesor i së drejtës, ndërsa si nënkryetar votuan Alfred Ballën, përfaqësues nga shoqëria civile.

Më 27 dhjetor, në mbledhjen e dytë, KLP vendosi ngritjen e katër komisioneve  do të planifikojnë buxhetin e prokurorive, do të vlerësojnë karrierën e prokurorëve dhe anët profesionale, si edhe do të marrin masa disiplinore kur duhet ndaj tyre:

1.Komisioni i Planifikimit Strategjik dhe i Administrimit të Buxhetit me kryetar Gent Ibrahimin, anëtarë Nurihan Seiti dhe Antoneta Sevdari, dhe anëtarë zëvendësues Arben Dollapaj dhe Alfred Balla.

2.Komisioni Disiplinor, që do të marrë dhe vlerësojë masat ndaj prokurorëve, me kryetar Bujar Sheshin, anëtarë Tartar Bazaj dhe anëtarë zëvendësues Gentjan Osmani dhe Nurihan Seiti.

3.Komisioni i Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale me kryetar Alfred Ballën, anëtarë Kostaq Belurin dhe Gentjan Osmanin, dhe anëtarë zëvendësues Tartar Bazaj dhe Besnik Cani.

4.Komisioni i Zhvillimit të Karrierës me kryetar Sandër Becin, anëtarë Arben Dollapaj e Antoneta Sevdari, dhe anëtarë zëvendësues Bujar Sheshi dhe Gent Ibrahimi.

Deri më tani, KLP ka zhvillua vetëm dy mbledhje ku fokusi ka qenë në organizimin e brendshëm të KLP-së dhe nuk janë marrë vendime për prokuroritë, por kryetari i saj Gent Ibrahimi ka deklaruar në dy muajt e ardhshëm KLP duhet të zgjedhë kryeprokurorin e ri me mandat të plotë, si dhe të miratojë ngritjen e SPAK-ut.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>