CNN ka treguar se si përfundojnë shqiptarët në trafikun e drogës në Mbretërinë e Bashkuar.
Në një intervistë anonime prej rreth 4 minutash, pjesë e projektit “Freedom” të CNN, një shqiptar rrëfen se si, i detyruar për të paguar një borxh të madh, përfundoi duke kultivuar kanabis në një shtëpi.
Rrëfimi nis me shqiptarin që thotë se nëse do ta kishte ditur se si do të shkonin gjërat, ai nuk do të ishte larguar kurrë nga Shqipëria.
Sipas CNN ai e ka jetën nën rrezik, pasi është mbajtur forcërisht në një shtëpi për të kultivuar kanabis si mënyrë shlyerje e një borxhi.
Shqiptari, emigrantë i paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar, thotë se për shkak se i ati i pësoi një aksident katër vite më parë, u detyrua të dërgonte të gjitha paratë që kishte në shtëpi dhe gjithashtu të merrte borxh nga një fajdexhi me emrin Selam.
Ai thotë se po ia kthente paratë dalë-ngadalë, por kjo gjë nuk i pëlqeu fajdexhiut, i cili i donte paratë dhe përfitimet shumë më shpejt.
Për këtë Selami ia shiti borxhin një grupi kriminal, pa i thënë më shumë përveçse “do bësh të njëjtën gjë sikurse bëje për mua, do punosh dhe do paguhesh”.
Pas një jave shqiptari u dërgua në një shtëpi, ku iu kërkua që të rrinte aty. Pak më vonë i sollën dhe bimë kanabisi duke ia bërë faktike se do të merrej me drogë.
Thotë se nuk kishte zgjedhje tjetër përveçse të mbyllej në shtëpi. Një herë në javë mund të dilte për të paguar faturat dhe për të blerë ushqime, ndërsa për grupin që e mbante të mbyllur më të rëndësishme ishin bimët se sa ai apo shëndeti i tij.
Pas 3 muajsh duke u shtrënguar të punonte për kultivimin e kanabisit, policia e liroi pas një aksioni që bëri në shtëpinë në fjalë, por sidoqoftë ai mbetet i rrezikuar.
CNN me këtë kronikë denoncon atë që konsiderohet si “skllavëria moderne” ku gjithmonë e më shumë njerëz të rëndomtë detyrohen të punojnë punë të rrezikshme apo të jashtëligjshme nën kanosje.
Ndërkohë në Britaninë e Madhe numri i të dënuarve shqiptar për narkotrafik ka ardhur gjithmonë e në rritje.
Deri në vitin 2017 në burgjet britanike shlyenin dënime 726 shqiptarë, 572 më shumë se prej vitit 2010.
Shumica e emigrantëve në Britani shkojnë ilegalisht atje duke u paguar shuma mbi 10 mijë paundë trafikantëve të qënieve njerëzore.