Nicola Pedrazzi, një opinionist italian për institutin OBC Transeuropa, në një artikull për zgjedhjet në Shqipëri, flet për rrezikun që i shfaqet demokracisë së brishtë shqiptare nga pushteti i pakufizuar i kryeministrit Rama.
Nicola Pedrazzi shkruan:
Katër vjet më parë, në vitin 2013, u duk se Shqipëria pësoi një revolucion ngjyrash: ra të flinte në gjumë blu dhe u zgjua vjollcë.
Katër vjet më vonë, në vitin 2017, fitorja e dytë e Ramës ishte më e pritshme. Deklaratat e palës fituese janë të qeta, humbësit nuk e protestuan rezultatin dhe tashmë populli shqiptar njeh vetëm një udhëheqës të padiskutueshëm. Pavarësisht rënies drastike të pjesëmarrësve në votime, kjo fitore e heshtur dhe e pritshme shënon ndoshta kulmin e “epokës së Ramës”.
Por pas ngjitjes, fillon rënia…
Të votosh apo të mos votosh?
Në Shqipëri, falë sistemit elektoral, listat e kandidatëve për deputet përpilohen nga kryetarët e partive. Në këtë mënyrë qytetarët nuk kanë mundësi të votojnë se kush do të përfaqësojë zërin e tyre.
Duke marrë parasysh sistemin e zgjedhjeve dhe duke parë se si politikanët shqiptarë i përdorin ato rregulla për të qëndruar në pushtet pavarësisht nga rezultatet elektorale, pjesëmarrja më e ulët historike në votime e demokracisë shqiptare (43 përqind) bëhet më pak e habitshme. Mund të konsiderohet edhe si rritje e simptomës së vetëdijes demokratike.
Krahasuar me pjesëmarrjen në 2013 (53 për qind), 160,000 më shumë shtetas shqiptarë kanë zgjedhur të qëndrojnë në shtëpi këtë vit. Pse? Shumë arsye mund të përmblidhen në një shpjegim të vetëm: Këtë herë shtetasit shqiptarë nuk kishin alternativa të vërteta politike. Kur nuk ka konkurrencë në votime, nuk ka as pjesëmarrje në votime.
Protesta e opozitës dhe më pas marrëveshja gjysëm publike mes dy udhëheqësve Rama-Basha, që i dha fund bojkotit, duket se ishin vendimtare në rezultatin e zgjedhjeve. Teksa përfaqësuesit evropianë dhe institucionet e BE-së e përgëzuan këtë “kthim në demokraci”, populli shqiptar e kishte të qartë se çfarë duhet të presë nga kuvendi i ardhshëm: Partia Demokratike dhe Socialiste ndajnë pushtetin në një qeveri të bekuar nga BE për “unitetin kombëtar”.
Nuk është rastësi as që Ilir Meta, ish aleati i vështirë i dy partive, u emërua president nga parlamenti në fund të legjislaturës së tij.
Shqiptarët që nuk votuan me sa duket nuk pranuan ti japin legjitimitet kësaj rishpërndarje të parashikueshme të pushtetit.
Një fitore e padiskutueshme (për udhëheqësin)
Nëse parashikimi i një koalicioni të madh i mbajti njerëzit larg votimeve, fitorja e Ramës ka shkuar përtej pritshmërive të Partisë Socialiste.
Këtë herë nuk ka aleanca, dhe as Partia Demokratike apo LSI nuk do të jenë të nevojshme. Nëse dëshiron, Rama mund të drejtojë një qeveri të mbështetur vetëm nga partia e tij.
Ditën pas zgjedhjeve, Rama deklaroi se Partia Socialiste nuk do të kërkojë ndihmën e askujt; Megjithatë, pak nga pak, retorika e fitores i ka lënë vendin “fjalimeve të përgjegjësisë”.
A duhet ta udhëheqë Edi Rama me të vërtetë vendin vetëm? Cila është peshë më e lehtë për tu mbajtur: ajo e “një martese” ku ndahet fuqia dhe përgjegjësia apo ajo e “vetmisë” ku dhe fuqia dhe përgjegjësia janë vetëm të tuat?
Nëse populli shqiptar dëshiron të fshijë thonjëzat nga fjala demokraci në katër vitet e ardhshme, një alternativë e fortë duhet të lehtësojë vetminë e fuqisë së Ramës. Në mënyrë që të bëhen shtetas të një shteti europian, populli shqiptar ka nevojë për një zgjedhje të vërteta dhe konkurrencë për pushtet, të bazuara jo vetëm në interesat fraksionare, por në vlera dhe programe të ndryshme politike.
Nëse kjo nuk ndodh, në afat të gjatë, fitorja e Ramës do të jetë një lajm i keq edhe për mbështetësit e tij. Dhe shumica e jo-votuesve do të bëhet edhe më e madhe, ndoshta absolute.