Donika Prela kërkon të largohet nga Krimet e Rënda për t’i shpëtuar vetingut

Nga Alba Mborja
Donika Prela kërkon të largohet nga Krimet e Rënda për t’i shpëtuar vetingut

Prokurorja Donika Prela do të largohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi kërkesën e saj për tu emëruar në Prokurorinë e Apelit ose në Prokurorinë e Përgjithshme, mbasi të ngrihet Prokuroria e Posaçme (SPAK). Me ngritjen e SPAK, Prokuroria e Krimeve të Rënda shkrihet.

Donika Prela ka më shumë se një vit në detyrën e drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda.Zonja Prela u vendos në krye të Krimeve të Rënda, si një lëvizje e rëndësishme e reformës në drejtësi nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkoshme Arta Marku.

Në njoftimin e emërimit të Prelës, zonja Marku u shpreh:

Prokurorja e Përgjithshme Marku njofton emërimin e Znj. Donika Prela si kreu i Prokurorisë për Krime të Rënda. Kemi besim se ky ndryshim në drejtim do të sjellë si rezultat ndjekje penale më të shpejtë dhe më të efektshme të çështjeve me përparësi të lartë”

Ndërkohë në një intervistë për emisionin Open, zonja Marku u shpreh se prokurorja Prela ka bërë maksimumin e saj, në krye të Krimeve të Rënda.

Mendoj që ajo ka bërë maksimumin në punën e saj.” 

Tërheqja e zonjës Prela vjen në një kohë kur ajo është në pritje të vendimit nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Zonja Prela u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimi, pavarësisht problemeve me pasurinë. Komisioneri Publik apeloi vendimin për zonjën Prela, duke kërkuar shkarkimin e saj.

Në korrik të këtij viti, zonja Prela kandidoi për të qënë pjesë e SPAK, por KLP e skualifikoi atë nga kjo garë.

Gjatë drejtimit të Donika Prelës , Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka patur mjaft çështje për lidhjet e politikanëve me krimin e organizuar. Minimalisht zonja Prela duhet të kishte nisur hetime të rëndësishme to.Fatkeqësisht në punën e saj nuk ka asnjë gjurmë të tillë, nuk asnjë veprim të vetëm të saj për të hetuar kriminelët dhe të korruptuarit.

Më poshtë po ju listojmë disa nga rastet.

Zëri i Amerikës publikon transkriptet e përgjimeve Dako-Avdylaj

Zëri i Amerikës publikoi më 30 janar 2019 pjesë të “dosjes 339”, ku tregohej se si Vangjush Dako bashkëpunonte me Astrit Avdylajn, për të blerë vota në Durrës për zgjedhjet e përgjithshme të 2017. Nga përgjimet doli për herë të parë se, kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako kishte marrëdhënie të afërta me Avdulajt, të arrestuar nën kërkesën direkte të qeverisë gjermane, në tetor 2018.

Pas publikimit të përgjimeve, Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi hetimin për “Zërin e Amerikës”. Në njoftimin e shpërndarë për media, Prokuroria tha se po kryente hetime për veprën penale të nxjerrjes së sekretit hetimor, në lidhje me publikimin e akteve të përgjimeve të çështjes penale në fjalë, publikim i të cilave po bëhej në kundërshtim me ligjin.

Gazeta Bild publikon audio-përgjimet Dako-Avdylaj

Në qershor 2019, Gazeta gjermane Bild publikoi audio-përgjimet e së njëjtës dosje 339, edhe kësaj here në fokus ishte kryetari i Bashkisë së Durrësit Dako dhe drejtuesit të bandës kriminale Astrit Avdylaj, i arrestuar për trafik kokaine në tetor 2018.

Pak orë pas daljes së përgjimeve, prokurorët e çështjes, Dritan Prençi dhe Vladimir Mara, nxorën urdhërin për ndalimin e publikimit të përgjimeve në media, përndryshe do të kishte ndëshkime penale.

Gazeta Bild publikon audio-përgjimet për vjedhjen e votave në Dibër

Sot, gazeta Bild publikoi pjesë të përgjimeve të dosjes 186, ku tregohet qartë edhe përfshirja e Kryeministrit Rama në vjedhjen e votave për zgjedhjet vendore në Dibër më 2016.

Pak orë pas publikimit të përgjimeve, prokuroria e Krimeve të Rënda njoftoi hapjen e hetimeve për nxjerje të sekretit hetimor.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>