Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) u kërkoi mediave në Serbi e Kosovë të tregohen të matura përballë rritjes së tensioneve nga udhëheqësit e të dyja vendeve, në veçanti prej presidentëve Vuçiç e Thaçi.
Sekretari i Përgjithshëm i EFJ-së, Ricardo Gutierrez u shpreh se:
“Duket qartë që disa politikanë, duke nisur nga Presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, po e përdorin krizën e koronavirust për të nxitur tensione politike e sociale në interes të tyre.
Ftojmë gazetarët të mos hyjnë në këtë lojë dhe të veprojnë pro interesit publik”.
EFJ ka vënë re shkelje të theksuara të etikës gjatë raportimeve të vendosjes në karantinë të Mitrovicës së Veriut.
Një gazetar i RTK-së gjatë raportimit direkt nga Mitrovica e Veriut ngriti pyetje provokative, të cilat ngjallën reagime të ndryshme.
Portali Sinjali – i zotëruar nga Besnik Berisha, këshilltar politik – zbuloi emrat e 210 prej qytetarëve të Mitrovicës së Veriut të vendosur në karantinë – pjesa më e madhe serbë – gjë të cilën EFJ e dënoi duke e theksuar të ndikuar politikisht.
Vetëm pas reagimeve nga publiku dhe Unioni i Gazetarëve Serbë në Kosovë, “Sinjali” censuroi të dhënat personale të qytetarëve.
Dy komunat e veriut të Kosovës, Mitrovica e Veriut dhe Zveçani, u vunë të enjten në karantinë.
Në urën e Ibrit, që ndan veriun e Mitrovicës me pjesën tjetër, u vunë policë, të cilët ndaluan lëvizjen.
Qeveria e Albin Kurtit garantoi se çdo gjë ishte nën kontroll dhe sipas koordinimit të institucioneve, por këtë pretendim e hodhi poshtë Presidenti Hashim Thaçi, i cili e konsideroi si të papranueshme situatën e krijuar.