EURALIUS: Reforma në drejtësi nuk po respekton afatet kushtetuese

EURALIUS: Reforma në drejtësi nuk po respekton afatet kushtetuese

Periudha kalimtare dhe formimi i institucioneve të reja të drejtësisë është zgjatur ndjeshëm, përtej çdo afati të parashikuar nga kushtetuta dhe paketa ligjore e reformës në drejtësi.

Kështu shkruan EURALIUS, misioni i asistencës në drejtësi i financuar nga BE, në një raport që përfshin periudhën qershor 2017-shkurt 2018.

Raporti thekson se institucione të rëndësishme si Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ), Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) nuk janë formuar ende pasi kandidatët për anëtarë të tyre janë ende në proces vlerësimi të figurës, njohur ndryshe si procesi i vetingut.

Siç Exit.al e ka shpjeguar dhe më parë, si rezultat i ritmit të ngadaltë me të cilin qeveria miratoi një sërë ligjesh dhe aktesh nënligjore që rregullojnë institucionet e reja e procesin e vetingut dhe me ritmet aktuale me të cilat po punojnë institucionet e vetingut, formimi i instucioneve të reja duket ende i largët dhe nuk ka gjasa të ndodhë përpara verës.

Kjo vonesë prej më shumë se 18 mujore nga afatet e parashikuara në Kushtetutë, ka bërë që dhe një sërë institucionesh të tjera të jenë aktualisht totalisht të paralizuara për shkak të mungesës së KLGJ e KLP, kandidatët e të cilëve janë ende në proces vlerësimi të pasurisë e figurës.

Sistemi i drejtësisë është praktikisht në një vakum ligjor e institucional, ku “i vjetri po vdes dhe i riu nuk mund të lindë”, një situatë e ndërmjetme, si pasojë e së cilës Gjykata Kushtetuese është e paralizuar dhe me vetëm një anëtare që ka kaluar vetingun, ndërsa Gjykata e Lartë ka mbetur me më pak se gjysëm ne gjyqtarëve, duke krijuar vonesa dhe prapambetje në më shumë se 24 mijë dosje.

Sipas parashikimeve të EURALIUS, krijimi i tre institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë, përfshi Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), Këshillin e Lartë të Gjyqësorit (KLGJ) dhe Këshillin e Emërimeve në Drejtësi (KED) do të ndodhë në fund të vitit 2018.

Ndërsa procesi i vetingut për të gjithë anëtarët e sistemit të drejtësisë  supozohet të mbarojë brenda tre vjetësh, në vitin 2021, fiks në kohë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Për sa kohë sa KLP, KLGJ e KED nuk janë krijuar, do të vazhdojë mosfunksionimi i plotë Gjykatës Kushtetuese, paralizimi i Gjykatës së Lartë dhe paligjshmëria në sistemin e prokurorisë.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>