Në përfundim të misionit të tij, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka publikuar konstatimet paraprake për situatën ekonomike të Shqipërisë.
Një nga gjetjet më shqetësuese është kritika e fortë e FMN-së për planin e qeverisë për të shtrirë edhe më tej përdorimin e partneriteteve publike-private nëpërmjet asaj që kryeministri Edi Rama e quajti “Plani 1 miliard euro”. Kritika kryesore e FMN-së është se pagesat e bëra nga shteti tek partnerët privatë, siç është rasti i Bashkisë Tiranë që do të paguajë subjektet private për ndërtimin e shkollave, nuk reflektohen siç duhet në llogaritë fiskale dhe borxhin publik:
“Programi ambicioz i autoriteteve për investime publike nëpërmjet PPP-ve paraqet risqe të konsiderueshme fiskale. Është me rëndësi parësore fuqizimi i zbatimit të kuadrit të PPP-ve dhe fillimi i shfrytëzimit të kompetencave ligjore të zgjeruara rishtazi të Ministrisë së Financave për vlerësimin dhe monitorimin e projekteve PPP. Në dallim nga praktika e tanishme, ndikimi që kanë PPP-të në llogaritë fiskale dhe borxhin publik duhet të reflektohet me transparencë dhe në përputhje me normat ndërkombëtare të kontabilitetit publik.”
Në shkurt, FMN e mohoi faktin se qeveria ishte konsultuar më parë me Fondin për planin e “1 miliardë dollarëve” investime nëpërmjet kontratave PPP të Kryeministrit Rama. Jens Reinke, përfaqësuesi i përhershëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri, deklaroi:
“Është e rëndësishme të merret parasysh se jo gjithmonë PPP-të janë mënyra më efektive nga pikëpamja e kostos për të financuar investimet publike. Financimi i projekteve nëpërmjet PPP-ve nuk duhet bërë kurrë për arsyen e vetme që ato të mbahen jashtë bilancit.
Projektet që zbatohen si PPP duhet të kalojnë nëpërmjet të gjithë vlerësimeve dhe prioritizimeve, ashtu si të gjitha investimet e tjera publike që ndërmerren.
Përveç kësaj, qeveria duhet të vlerësojë dhe kostot fiskale dhe rreziqet që rrjedhin nga subvencionet apo garancitë që shoqërojnë PPP-të.
Rreziqet për financat e qeverisë në afatin e gjatë duhet të jenë transparente në të dhënat fiskale dhe duhet të menaxhohen në mënyrë të kujdesshme.”
Por kjo nuk ishte e vetmja kritikë të FMN-së.
FMN gjithashtu paralajmëroi qeverinë kundër “dhënies së përjashtimeve të reja tatimore ose trajtimeve të taksave preferenciale, ose uljes së normave tatimore”, pasi qeveria Rama në fakt njoftoi kohët e fundit një program për dhënien e investimeve të huaja në turizëm një regjim pa taksa për 10 vjet.
Për më tepër, FMN-ja është kritike ndaj planit të Ramës për bashkimin e taksave dhe zyrave doganore:
“Njoftimi për bashkimin e administratave tatimore dhe doganore është mirë të rikonsiderohet edhe një herë, po të kemi parasysh risqet e larta të cënimit të mbledhjes së të ardhurave dhe reformat që po bëhen në administratën tatimore.”