Gjykata Kushtetuese e Kosovës shpalli të martën të pavlefshme masat kufizuese të qeverisë së Albin Kurtit.
Qeveria e Kosovës vendosi më 23 mars të kufizojë lëvizjet – nga ora 10:00-16:00 dhe nga ora 20:00-6:00 – si masë parandaluese të përhapjes së koronavirusit.
Masat u thanë se u vunë sipas ligjit për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse.
Presidenti Hashim Thaçi i cilësoi ato në shkelje të Kushtetutës dhe një ditë më pas e çoi çështjen në Gjykatë Kushtetuese.
Kjo u shpreh sot se ligji për luftimin e sëmundjeve nuk e autorizon qeverinë të kufizojë lirinë e lëvizjes dhe të drejtat e garantuara me Kushtetutë.
Gjykata theksoi se “kufizimi i të drejtave dhe lirive mund të bëhet vetëm me ligj të Kuvendit” duke i dhënë të drejtë pretendimit të Presidentit se qeveria duhej të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme e me pas të vendoste masat kufizuese.
Gjendja e jashtëzakonshme i atribuon më shumë kompetenca për të menaxhuar situatën Presidentit dhe për këtë fakt duket se është shmangur nga qeveria Kurti.
Menaxhimi i epidemisë në Kosovë është ndërthurur me luftë politike aq sa t’i kushtojë qeverisë së Kurtit shkarkimin nga një mocion mosbesimi i nisur nga LDK-ja, partia e koalicionit qeverisës – mocioni u nis pasi Kurti shkarkoi për përhapje paniku Ministrin e Brendshëm, Agim Veliu.
Në Kosovë, deri sot janë diagnostikuar 108 persona me Covid-19, prej të cilëve 2 janë shëruar dhe 1 ka vdekur.