Hooper: Nuk ka marrëveshje Kosovë-Serbi pa shkëmbim territoresh

Nga Stafi i Exit
Hooper: Nuk ka marrëveshje Kosovë-Serbi pa shkëmbim territoresh

“Kosova dhe Serbia nuk arrijnë marrëveshje gjithëpërfshirëse pa shkëmbim territoresh”.

Kështu mendon ish-diplomati amerikan James Hooper, i cili në një intervistë për Zërin e Amerikës është shprehur se një marrëveshje tillë mes Prishtinës dhe Beogradit ekziston, por “vështirësia është te zbatimi i saj”.

Kosova e dalë nga zgjedhjet e përgjithshme të tetorit, në të cilat fitoi partia Vetëvendosje e Kurtit, është vënë nën trysni për të rinisur bisedimet. Po kështu edhe Serbia e drejtuar nga Partia Progresiste e Vuçiç, por që në muajin prill do të zhvillojë edhe ajo zgjedhje të përgjithshme.

Pavarësisht situatës politike, ish-diplomati James Hooper, beson se dy vendet jo vetëm “kanë gjasa të arrijnë marrëveshje” por që “praktikisht e kanë arritur një të tillë”. Për këtë Hooper nënkuptoi çështjen e diskutuar në media rreth ndarjes së kufijve. Ai tha se:

Nuk mund të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse pa element territorial. Nuk e di se cila do të jetë pikëpamja e Albin Kurtit. Pikëpamja si një udhëheqës i një partie opozitare është diçka tjetër, e kuptoj pikëpamjen e tij në atë rol. Cili do të jetë këndvështrimi i tij në postin e Kryeministrit, këtë nuk e di dhe nuk dua të spekuloj. Por mendoj se ai do të gjendet përballë realitetit dhe për të mund të jetë një realitet i vështirë për t’u pranuar. Realiteti është se marrëveshja tashmë është negociuar. Marrëveshja ekziston. Në thelb është rënë dakord…

Ish-diplomati Hooper shtoi më tej se përveç shkëmbimit të territoreve është përfshirë edhe anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ai ripërsëriti se nuk mund të ketë marrëveshje pa elemente territorial, ndërsa këmbënguli se të dyja palët do të mundohen ta shohin si diçka ku njëra humb dhe tjetra fiton, të cilën Hooper e konsideroi si të natyrshme për çdo rast negociatash.

Prej një viti dy vendet kanë ndërprerë bisedimet rreth “normalizimit të marrëdhënive ndërshtetërore” të nisura në vitin 2011. Politika bllokuese e Serbisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare detyroi qeverinë Haradinaj, që në nëntor të vitit 2018 të vendoste tarifë 100 për qind për mallrat serbe. Kjo ishte arsyeja zyrtare e ndërprerjes së bisedimeve.

BE dhe SHBA kanë ushtruar vazhdimisht presion për t’i detyruar të dy vendet të rinisin procesin, ndërsa Presidenti Trump ka caktuar si përfaqësues të posaçëm për këtë çështje ambasadorin Richard Grenell, i cili krahas Matthew Palmer, pritet të jetë shtyesi tjetër për marrëveshje.

Hooper tha se nuk e njihte shumë Grenellin, por për arritjen e një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës kishte më tepër besim te Palmer dhe Ndihmës-Sekretari i Shtetit Philip Reeker. Ai këmbënguli se marrëveshja në fjalë është zgjidhur mes Vuçiç dhe Thaçit dhe se asaj mund t’i mungojnë vetëm detaje të vogla.

Së fundmi, Palmer pati takime me të dy presidentët. Vuçiç kërkoi nga Palmer që të ndikonte te Kurti për të përfshirë në qeveri Listën Serbe, ndërsa në një takim të më hershëm me Grenell ai pati këmbëngulur se “askush nuk ka ofruar asgjë për bisedimet”.

Por sipas Hooper situata është ndryshe marrëveshje ka dhe problemi i saj është vetëm zbatimi. SHBA-të, sipas tij, nuk e kanë përmendur dhe nuk kanë bërë presion për një marrëveshje me shkëmbim territoresh sepse nuk ka përkrahje të madhe popullore:

[…] kjo ndoshta është një nga arsyet që amerikanët nuk kanë thënë shumë sepse janë duke pritur për fazën e zbatimit. Ajo që duhet të shohim në Kosovë dhe mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe ishte një problem i madh në të kaluarën, është se marrëveshja nuk u bë publike kurrë plotësisht dhe njerëzit kurrë nuk patën asnjë shans ta votojnë atë. Qeveria nuk pati me të vërtetë një shans ta mbronte atë. Kështu që gjithnjë është e lehtë të sulmosh një marrëveshje të panjohur, kushtet e së cilës nuk i njeh.

Hooper ka qenë diplomat i SHBA-ve për Lindjen e Mesme, Evropën Juglindore dhe më vonë Ballkanin.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>