I harruar nga BE, Rama kthehet tek Erdogan

I harruar nga BE, Rama kthehet tek Erdogan

Teksa BE e ka shtyrë hapjen e negociatave me Shqipërinë për në një moment të pacaktuar dhe ka thyer shpresën e Kryeministrit Rama për të qeverisur me reforma të cekëta, ky i fundit po drejtohet gjithnjë e më tepër tek aleati i tij lindor, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan.

Përveç ndjekjes së të njëjtën politikë si Erdogan, që e quan lëvizjen e klerikut musliman Fethullah Gylen një “rrjeti të rrezikshëm terrorist”, edhe pse BE nuk e njeh atë si të tillë, dhe duke shprehur “admirimin” ndaj Erdoganit në shtypin turk, Kryeministri Rama gjithnjë e më tej po nxit investimet turke në Shqipëri, investime që pothuaj gjithnjë përfshijnë investitorë të dyshimtë dhe procedura jotransparente.

Për shembull, Rama i ka dhënë me koncesion aeroportin e Vlorës një konsorciumi turk, pa zhvilluar asnjë tender.

Po ashtu, në maj 2017, Rama njoftoi fillimin e punës për ngritjen e një kompanie ajrore kombëtare me “ndihmën personale” të Presidentit Erdogan. Kjo nismë personale e dy liderëve anashkalon çdo institucion dhe çdo lloj standardi e kërkese ligjore në lidhje me politik-bërjen dhe vendim-marrjen publike.

Dje, kryeministri Rama mori pjesë në ceremoninë e betimit të presidentit Erdogan, i cili më kompetencat e reja marrë nga ndryshimet kushtetuese të votuara në referendumin e prillit 2017, përqëndron totalisht pushtetin në duart e tij, duke e kthyer Turqinë de facto në një vend autokratik.

Vlen të përmendet fakti që nga shtetet e Ballkanit, në ceremoninë e betimit merrnin pjesë presidentët dhe vetëm në rastin e Shqipërisë, presidenti Meta u zëvendësua nga Kryeministri Rama.

Nga vendet e BE-së, asnjë prej liderëve nuk mori pjesë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>