Vaksina anti-Covid është e vlefshme dhe krijon imunitet, vetëm nëse bëhen të dyja dozat, siç e kërkon protokolli i kompanive prodhuese.
Kështu deklaroi të martën specialistja e Institutit të Shëndetit Publik Iria Preza.
Zonja Preza u shpreh:
“Dy javët e para fillon trupi të krijojë anti-trupa, por duhet doza e dytë që të plotësohet procesi i vaksinimit.”
Ajo theksoi se mund të nevojitetn deri në 7 ditë pas bërjes së dozës së dytë, që i vaksinuari të ketë imunitet nga virusi. Deri në atë moment, të gjithë ata që bëjnë vaksinën duhet të vazhdojnë të respektojnë masat mbrojtëse si mbajtja e maskave apo distancimi social.
Preza sqaroi se në Shqipëri nuk do të aplikohet përzierja e dozave të vaksinave të ndryshme, siç parashikon të bëjë Anglia:
“Nëse vaksinohemi me Phfizer edhe e dyta do të bëhet me të, jo të marrim tjetër.”
Shqipëria nisi vaksinimin anti-Covid të hënën, në 11 janar, me vaksinën e kompanive Pfizer dhe BioNTech.
Deri më tani kanë marrë dozën e parë mjekët e spitalit Infektiv, Sanatoriumit dhe ka nisur vaksinimi i epidemiologëve të terrenit.