Një tjetër grup me emigrant afgan pritet të mbërrijë të hënën në Kosovë.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në një deklaratë për mediat.
“Fluturimet e ardhshme priten të ndodhin qysh nesër. Kemi konfirmimet e radhës për aterimet e ardhshme,” u shpreh Sveçala.
Ai shtoi se ende nuk kishte informacion të saktë mbi numrin e emigrantëve apo orarit të mbërritjes, pasi ishte çështje organizimi i aleatëve në Afganistan.
Grupi i parë i emigrantëve afgan mbërriti në vend të dielën. Ndonëse fillimisht u raportua se do të vinin më pak se 100 persona, në aeroportin e Prishtinës mbërriten 111 afgan.
Sipas mediave lokale, ata janë strehuar në kampin e Bechtel Enkas në Ferizaj.
Kosova do të strehojë personat që janë në procesin e aplikimit për viza speciale të emigrimit në SHBA (SIV), ata që janë nën mbrojtje të vecantë, dhe ata që presin të zhvendosen në një shtet tjetër përveç SHBA-ve.
Kosova është vendi i parë në Ballkan, i cili para pak ditësh vendosi të strehojë afganët e evakuar nga cilido shtet.
Vendi pritet të strehojë gjithsej 2000 emigrant afgan.
Ndërkohë, evakuimet nga kryeqyteti i Afganistanit, Kabuli kanë hyrë në fazën përfundimtare.
31 gushti përbën afatin e fundit për evakuimin e ushtarëve të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve, vendim i marr nga presidenti amerikan, Joe Biden.