Kryeministri Edi Rama takoi sot në Berlin kancelaren gjermane Angela Merkel dhe deputëtetë të Bundestagut për të folur për procesin e hapjes së negociatave mes BE-së dhe Shqipërisë.
Njoftimi i Kancelararisë për takimin, por edhe postimet në media sociale të Kryeminsitrit Rama tregojnë mbështëtjen nga Gjermania për përparimin e Shqipërisë drejt integrimit në BE.
Megjithëse Rama e lajmëroi vizitën si të pëqendruar në marrjen e një “PO-je” për hapjen e negociatave, asnjëra nga palët nuk shprehën entuziazëm për arritjen e këtij qëllimi.
Në lajmërimet për të dy takimet, në Bundestag dhe në Kancelari, Rama ishte i përmbajtur.
Takimi në Bundestag:
“Në Komitetin e Çështjeve Europiane të Bundestagut për të kërkuar PO-në e parlamentit gjerman për Shqipërinë. Bashkëbisedim i hapur dhe pozitiv.”
Para dhe pas takimit me Merkelin:
“Në Kancelarinë Federale për të kërkuar PO-në për Shqipërinë.”
“Shumë i inkurajuar nga vlerësimet dhe predispozita pozitive ndaj Shqipërisë e kancelares Merkel. #MikeeVërtetë”
Qeveria gjermane njoftoi se Kryeministri Rama është edhe artist, dhe se i kishte dhuruar Merkelit librin e tij të fundit me vizatime.
Në lidhje me hapjen e negociatave, njoftimi thotë vetëm se vendimi për nga ana e Gjermanisë do të merret në Bundestag – parlamenti gjerman – në fund të shtatorit.
Njoftimi përban edhe një seksion më vete: “Forcimi i demokracisë dhe i shtetit të së drejtës në Shqipëri”, që duket se shënon rëndësinë që qeveria gjermane i jep këtyre dy pikave përpara vendimit për hapjen e negociatave.
Edhe në një postim në faqen zyrtare të Kancelares së Gjermanisë, qeveria gjermane theksoi se kryeministri i Shqipërisë është edhe artist. Aty u botua një foto e Merkelit, duke parë në duart e Ramës librin e tij me vizatime, të cilin ai sapo ia kishte dhuruar.
“Kancelarja Merkel pret Edi Ramën, Kryeministër i Shqipërisë, në Kancelari. Politikani është edhe artist dhe i solli Kancelares si kujtim librin e tij të fundit.”
Deklaratat pas takimit nga të dyja palët nuk përbajnë asnjë premtim se Gjermania do të votojë pro hapjes së negociatave mes BE-së dhe Shqipërisë.
Njoftimet e Ramës se ishte nisur në takime për të marrë një “PO”, janë në kontrast me mesazhet e tij, pa të njëjtin optimizëm, pas takimeve në parlamentin gjerman dhe me Merkelin.
Nga ana tjetër, njoftimet e palës gjermane theksuan rëndësinë e “forcimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës” në Shqipëri, si dhe konsideratën se Kryeministri Edi Rama është edhe artist.
Në fakt, ndryshe nga çfarë mund të sugjerojnë mesazhet dhe fotot me ngjyra e fytyra të qeshura në rrjetet sociale të Kryeministrit Rama, Gjermania ka qenë vazhdimisht strikte në lidhje me plotësimin e kushteve nga ana e Shqipërisë për hapjen e negociatave.
Në vitin 2016, Bundestagu refuzoi të hapte negociatat me Shqipërinë, duke argumentuar se vendi nuk kishte bërë përparim në zbatimin e reformës në drejtësi, në luftën kundër korrupsionit, krimit dhe drogës, në reformën zgjedhore dhe në procesin e dekriminalizimit.
Pas këtij refuzimi, Kryetari i Komitetit për Çështjet e BE-së në Bundestag, Gunther Krichbaum i paraqiti qeverisë së Kryeministrit Rama shtatë kushte për hapjen e negociatave në vitin 2017.
Rama dhe mediat pranë e tij e sulmuan menjëherë deputetin e Bundestagut në nivel personal dhe politik, bashkë me pak të tjerë, që kishin kritikuar qeverinë e tij për drogën, krimin, korrupsionin dhe mungesën e përparimit në reformën në drejtësi.
Kushtet e paralajmëruara nga Bundestagu u konfirmuan nga Parlamenti Evropian në vitin 2017, kur ky vendosi pesë kushte për hapjen e negociatave në vitin 2018.
Një vit kaloi shpejt dhe Këshilli Evropian rikonfirmoi kushtet për Shqipërinë, të njëjtat me zanafillë në parlamentin gjerman, pas kundërshtimit të Gjermanisë dhe Holandës për të hapur negociatat. Këshilli shtoi se nëse kushtet përmbusheshin, negociatat mund të hapeshin në vitin 2019.
Kryeministri Rama dhe mediat pranë tij e pasqyruan me entuziazëm këtë gjoja si hapje të negociatave.
Në qershor 2019, kur u bë e qartë se negociata nuk do të hapeshin as këtë vit, Rama fajësoi Evropën, që nuk po e mbante fjalën për “hapjen zyrtare” të nëgociatave që, sipas tij, ishin vendosur të hapeshin një vit më parë. Dy muaj më vonë, ai e kërcënoi vendet e BE-së me ndikimin rus, islamizmin dhe populizmin, nëse negociatat nuk hapen as në tetor 2019.
Në tetor, qeveritë dhe parlamentet e disa prej shteteve të BE-së, përfshi dhe Gjermaninë, do të vendosin nëse do të votojnë pro hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Më pas, vendimi përfundimtar për hapjen ose jo të negociatave do të merret nga Këshilli i Ministrave të vendeve të Bashkimit Europian.
Parlamenti gjerman është i vetmi ndër vendet e BE-së që merr vendimin për hapjen ose jo të negociatave me vendet joanëtare. Parlamenti holandez ka rol këshillimor ndaj qeverisë, ndër në vendet e tjera është qeveria ajo që vendos.