Autoritet e antimafias italiane japin të dhëna për një trafik të jashtëzakonshëm të drogës nga Shqipëria në Itali dhe akuzojnë qeverinë shqiptare për mungesë bashkëpunimi me ta për të luftuar drogën.
Televizioni publik Italian Rai Tre ka transmetuar sot një reportazh të ashpër për prodhimin e marijuanës në Shqipëri—emisioni i dytë brenda pak ditësh, pas atij të javës së shkuar.
Reportazhi i titulluar Marijuana dhe Politika, fillon me ritransmetimin nga java e shkuar të dëshmisë të një kultivuesi shqiptar, i cili pohon se çdo bimë kanabis shitet 100 euro nga të cilat 40 euro i shkojnë policisë.
Në lidhje me këtë gjendje, gazetarët italianë kanë intervistuar Kryetarin e Opozitës Lulzim Basha i cili është shprehur për ta se:
“Prodhimi i drogës është sot ekonomia kryesore në vend dhe burimet njerëzore dhe financiare të vendit po orientohen përditë e më shumë tek ekonomia e kanabisit.”
Por Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka deklaruar krejtësisht të kundërtën për gazetarët duke u shprehur se:
“Shqipëria nuk është një vend problematik në lidhje me trafikun e drogës.”
Përgjigja e Tahirit hidhet poshtë nga Kryeprokurori Cataldo Motta, shefi i antimafias së Leçes, i cili drejton të gjitha dosjet e hetimeve kundër trafiqeve të paligjshme në Kanalin e Otrantos. Prokurori Motta pohon:
“Problemi është i yni, sepse 44 milje nga Vlora është Pulia që tashmë është porta e transitit për hyrjen në Evropën perëndimore.”
Gazetarët e konfirmojnë këtë fakt duke informuar se “vetëm në ditët e fundit u arrestuan 6 trafikantë shqiptarë dhe u sekuestrua një ton marijuanë në dy aksione të veçanta të Policisë Financiare dhe policisë së Leçes.”
Por kur ballafaqohet me këto fakte, Ministri Tahiri i hedh ato poshtë duke ju drejtuar gazetarit të RAI-t:
“Besoj që statistika jote nuk është e vërtetë—në vitin 2013 kishte më shumë drogë që vinte në brigjet tuaja nga brigjet tona.”
Por Ministri duket se nuk i ka bindur gazetarët, të cilët i përgjigjen në reportazh: “Përkundrazi, të dhënat tona janë njësoj si ato të prokurorit Motta dhe flasin për një lulëzim të vërtetë të drogës që mbërrin në brigjet italiane.”
Këtë fakt e përforcon kryeprokurori antimafia i Leçes i cili u ka deklaruar gazetarëve:
“Këtë vit kemi pasur sekuestrime në sasi të jashtëzakonshme. Javën e fundit të shtatorit vetëm nga Guardia di Finanza u sekuestruan 3 ton dhe 800 kilogramë marijuanë.”
Reportazhi e përshkruan situatën e trafikimit me fjalët “tonelata pas tonelatash marijuanë, si kurrë më parë në 5 vitet e fundit”. Gazetarët ngrenë pyetjen pse ky lulëzim i drogës.
Shpjegimin duket se e jep Kryeprokurori i Leçes, i cili edhe pse mundohet të tregohet i kujdesshëm duket se e akuzon hapur qeverinë shqiptare për mosbashkëpunim në luftën kundër drogës:
“Bashkëpunimi që në të shkuarën ekzistonte me autoritetet shqiptare është, si të them, dobësuar pak, ndoshta janë ulur interesat e autoriteteve shqiptare.”
Këto deklarata të prokurorit Motta përforcohen nga Lulzim Basha, i cili lëshon akuza të rëndë ndaj qeverisë:
“Kultivimi i kanabisit në Shqipëri është lejuar de facto nga qeveria. Është mënyra për të mbledhur fonde për të blerë zgjedhjet e ardhshme.”
Duke ju referuar intervistës së mëparshme me Ministrin Tahiri i cili e kishte relativizuar problemin e drogës në Shqipëri duke ju kërkuar gazetarëve italianë të shohin drogën që kultivohet në shtëpinë e tyre, gazetarët kanë kërkuar mendimin e kryeprokurorit të Leces.
Ai e ka hedhur poshtë pretendimin e ministrit Tahiri dhe ka bërë pohime shumë shqetësuese për përfshirjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve në trafikun e të gjitha llojeve të drogave:
“Edhe në shtëpinë tonë ka kultivime, sigurisht jo aq shumë të përhapura si në Shqipëri. Nuk do kishim nevojë të importonim nga Shqipëria nëse do kishim pasur të njëjtën situatë të kultivimit të kanabisit.
Mund të them se Shqipëria është kthyer në furnizues kryesor të drogave.
Kur ne kontrollojmë një telefon nga të cilën është interesuar një shqiptar në 90 përqind të rasteve zbulojmë trafik të organizuar të drogave.”