Një ditë pasi misionet ndërkombëtare EURALIUS dhe OPDAT refuzuan të jepnin një opinion mbi mandatin e Dvoranit, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) vendosi ndërprerjen e mandatit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani.
Vendimi i KLGJ-së erdhi pas një letre nga Presidenti i Republikës, nëpërmjet të cilës kërkonte përfundimin e mandatit të Dvoranit si gjyqtar i Gjykatës së Lartë, pasi tashmë ishin emëruar tre gjyqtarët e rinj, të cilët kishin bërë zëvëndësimin e tij.
Megjithatë, ish-gjyqtari Dvorani pretendon se ka të drejtë të vazhdojë qëndrimin në KED.
Sipas Kushtetutës dhe ligjit për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë përfundimi i mandatit si gjyqtar i Gjykatës së Lartë sjell edhe humbjen e mandatit si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED). Kjo është vecanërisht e rëndësishme në rastin e Dvoranit, i cili duke qenë përfaqësues i Gjykatës së Lartë, ushtronte automatikisht edhe detyrën e kryetarit të KED. Në kushtet kur Dvorani nuk është më gjyqtar i Gjykatës së Lartë, ai jo vetëm nuk mund të vazhdojë më detyrën e kryetarit, por as atë të anëtarit të KED, edhe në rast emërimi si gjyqtar i gjykatës së apelit.
Kushtetuta parashikon se KED përbëhet nga dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, një gjyqtar i Gjykatës së Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë nga gjykatat e apelit, dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative. Një përbërje e tillë ka pasur për qëllim krijimin e një trupë sa më përfaqësuese të sistemit të drejtësisë në përzgjedhjen e kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese dhe Inspektor të Lartë të Drejtësisë.
Është e qartë se mandati në KED është i lidhur ngushtë me ushtrimin e funksioneve si gjyqtar apo prokuror pranë gjykatave përkatëse, cka do të thotë se mosushtrimi i këtyre funksioneve cilado qoftë arsyeja, sjell humbjen e mandatit në KED. E njëjta logjikë vlen edhe në rast se gjyqtari apo prokurori emërohet në një pozicion tjetër në sistemin e drejtësisë, pasi ai është dhe duhet të mbetet deri në fund përfaqësues i gjykatës apo prokurorisë, nga e cila është zgjedhur.
Në këtë mënyrë garantohet deri në fund qëllimi që ka pasur kushtetutbërësi për të pasur një përbërje të përzier të KED. Krijimi i institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë me përbërje të përzier haset edhe të KLGJ dhe KLP. Një përbërje e tillë ka për qëllim që të shmangë cdo lloj shfaqje korporatizmi, ku gjyqtarë apo prokurorë që i përkasin gjykatave të të njëjtit nivel, të vendosin mbi karrierën e gjyqtarëve apo prokurorëve të tjerë.
Në rastin konkret, përfundimi i mandatit të Ardian Dvoranit si gjyqtar i Gjykatës së Lartë sjell humbjen e mandatit si kryetar dhe anëtar i KED, duke i hapur rrugë zgjedhjes së një anëtari të ri nga rradhët e Gjykatës së Lartë, i cili do të ushtrojë edhe detyrën e kryetarit të KED. Vazhdimi i detyrës si anëtar i KED nga Ardian Dvorani, në rast emërimi si gjyqtar i Gjykatës së Apelit, vjen në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin, pasi nuk do të kishim më një gjyqtar nga Gjykata e Lartë dhe dy gjyqtarë nga gjykatat e apelit, por tre gjyqtarë nga gjykatat e apelit dhe asnjë gjyqtar nga Gjykata e Lartë.
Për më tepër, kjo do e linte bosh funksionin e kryetarit të KED deri në përfundim të mandatit. Prandaj, menjëherë sapo vendimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor të hyjë në fuqi, Presidenti i Republikës duhet të organizojë hedhjen e shortit për zgjedhjen e anëtarit të ri të KED nga rradhët e Gjykatës së Lartë, i cili do të ushtrojë edhe funksionet e kryetarit të këtij institucioni deri në fund të vitit.