EURALIUS dhe USAID refuzuan të japin opinion në lidhje me mbarimin ose jo të mandatit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani, me argumentin se është jashtë kompetencave të tyre. Sipas tyre, kjo çështje është kompetencë eksluzive e Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Në një letër dërguar KLGJ-së, ata shprehen :
“Duke u nisur nga shkresa dhe informacionet që na dërguat, kuptojmë që kërkesa juaj rrjedh nga nevoja për të adresuar një cështje individuale. Në këtë kontekst, Misioni Euralius V dhe Projekti i USAID-it Drejtësi për të Gjithë në Shqipëri janë të detyruar të theksojnë se, ndonëse ne jemi të përgatitur të ofrojmë asistencë teknike për Këshillin, jo vetëm si një cështje parimore por edhe praktikash të përcaktuara qartë, ne nuk japim opinione për cështje individuale, pasi kjo është një përgjegjësi ekskluzive e Këshillit.”
Në datën 5 maj, KLGJ vendosi t’i kërkojë mendim ‘partnerëve ndërkombëtare’ për çështjen e mbarimit ose jo të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani.
Siç Exit argumentoi më herët, ky veprim i KLGJ ishte i paligjshëm dhe pa asnjë justiikim ligjor. Objekti i veprimtarisë së partnerëve ndërkombëtar, kufizohet deri në dhënien e asistencës teknike ndaj instutucioneve të reja të drejtësisë, por kurrsesi në interpretime ligjore apo kushtetuese.
Nëse KLGJ kërkon një interpretim kushtetues mund të dërgojë një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese.
Duke qënë se Gjykata Kushtetuese nuk mund të marrë vendime në këto kushte pasi nuk ka mjaftueshëm anëtarë, ekziston një rrugë tjetër ligjore e institucionale. KLGJ mund të kërkonte nga Komisioni i Venecias, një opinion ligjor në lidhje me mbarimin ose jo të mandatit të gjyqtarit Dvorani.