Presidenti Ilir Meta ka akuzuar qeverinë të premten, duke thënë se nuk ka asnjë plan për vaksinimin por bën vetëm propagandë.
Ai reagoi për rekordin e ri të infektimeve në vend, pasi Shqipëria të premten regjistroi 1089 raste të reja, numri më i lartë që nga fillimi i pandemisë.
“Kapacitetet spitalore për të pritur shtrimet e reja ditore, rezultojnë të tejmbushura. Ndërkohë veç propagandës, asnjë plan nuk ka për nisjen e vaksinimit masiv të popullsisë”, tha Meta.
Ai i bëri thirrje qeverisë të hartojë një strategji të re për pandeminë dhe qytetarëve të tregojnë më shumë kujdes.
“Nevojitet urgjentisht, një strategji e re dhe efikase, për të frenuar pandeminë, përmirësuar kushtet në spitale, mbështetur financiarisht të prekurit dhe familjet e tyre dhe rritur nivelin ndërgjegjësues të popullatës”, deklaroi presidenti në Facebook.
Prej disa ditësh Shqipëria ka regjistruar shifra të larta të rasteve ditore.
Shefja e repartit Infektiv, Najada Çomo ka njoftuar se javët e fundit është rritur numri i personave 30-45 vjeç që shtrohen në spital prej COVID-19.
Më 11 janar nisi procesi i vaksinimit në Shqipëru me 975 doza të cilat iu dhuruan Shqipërisë nga një shtet i cili nuk u bë publik.
Nga shkurti deri në vjeshtë në vend do të vijnë edhe 41 mijë doza të tjera. Qeveria bleu 500 mijë doza të vaksinës anti-Covid të prodhuar nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech në fillim të 2021-shit.
Deri më tani janë vaksinuar vetëm mjekët dhe nuk ka nisur ende vaksinimi për popullsinë.