Harlem Désir, Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias vuri në dukje një sërë problemesh me projektligjin e propozuar nga qeveria Rama për kontrollin e mediave online. Sipas Désir, nëse këto probleme nuk adresohen, mund të “kenë ndikim negativ në lirinë e shprehjes”.
Me anë të një letre dërguar Kryeministrit Rama, përfaqësuesi i OSBE-së i rekomandon qeverisë të ndryshojë projektligjin për ta afruar atë me standardet europiane të lirisë së shprehjes dhe medias.
Një ndër shqetësimet kryesore që ngre përfaqësuesi i OSBE-së është roli si ‘gjykatë’ që projektligji i jep Autoritetit të Mediave Audiovizive, për të trajtuar rastet e shpifjeve. Për këtë Désir u shpreh:
‘AMA ose çdo organ administrativ apo rregullator nuk duhet të trajtojë rastet e shpifjes, të cilat duhet të mbeten nën kompetencat e gjykatave.’
OSBE po ashtu i kërkoi Ramës që të ndryshojë nenin 132/1, sipas së cilit AMA mund të detyrojë median online që të publikojnë letra publike ndjese, të heqë përmbajtje apo të vendosë njoftime të formatit pop-up në rastet e shkeljes së dispozitave të parashikuara në këtë nen.
Letra e OSBE-së gjithashtu sugjeron formulime të reja dhe më specifike për paragrafin 3 të nenit 132, që i lejon qeverisë të bllokojë qasjen në internet në rastet kur përmbajtja në një portal lajmesh “mund të favorizojë” vepra penale përfshirë pornografinë e fëmijëve, terrorizmin ose përbën rrezik për sigurinë kombëtare. Ky formulim konsiderohet ‘shumë i gjerë’ nga OSBE-ja dhe lë vend për abuzime.
OSBE këshillon dhe rishikim të kompetencave që ligji i jep AKEP-it për të mbrojtur “interesat kombëtare, sigurinë publike dhe të drejtat themelore.” Sipas OSBE-së termat e përdorura janë shumë të gjera dhe nuk kuptohet se si këto kompetenca të reja të AKEP-it nuk shkelin të drejtën e shprehjes:
“Këto nocione përkufizohen shumë gjerësisht dhe mund të bien në kundërshtim me standardet ndërkombëtare të sigurisë juridike, proporcionalitetit dhe domosdoshmërisë, si dhe nuk përfshijnë rregulla specifike për të garantuar mbrojtjen e lirisë së shprehjes.”
Gjobat e larta që parashikon projektligji në neni 133 është një tjetër shqetësim që ngre përfaqësuesi i OSBE-së. Projektligji parashikon gjobitjen e mediave nga 100 mijë lekë deri në një milionë lekë, në rast të shkeljeve të ligjit, përveç rasteve kur shkeljet nuk janë vepra penale, të cilët hetohen nga prokuroria.
Ky projektligj është kundërshtuar si nga organizata ndërkombëtare të huaja në mbrojtje të lirisë së medias dhe shprehjes, ashtu si dhe nga gazetarët vendas. Megjithatë qeveria Rama është shprehur e vendosur për ta miratuar projektligjin, si masa kryesore për të ndaluar shpifjet.