Shqipëria nga skaji verior në atë jugor ka një larmishmëri gjetjesh arkeologjike, që krijojnë një mozaik të kronologjisë të qytetërimeve të ngritura ndër shekuj në trojet tona.
Në qytetin e Fierit që prej vitit 2005, Apollonia funksionon si Park Arkeologjik Kombëtar. Apollonia u themelua si qytet në fillim të shekullit të shtatë para Krishtit, nga kolonizatorët grekë që vinin nga Korinti.
Rëndësi kjo që e ktheu në shënjestër të prag-fushatës elektorale të këtij viti, ku muajin e kaluar kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zgjodhi këtë park për të diskutuar në lidhje me platformën e LSI-së për zhvillimin e turizmit.
“Turizmi është një nga shtyllat më të rëndësishme dhe ende në fillimet e veta të shfrytëzimit…por kryesisht është keqshfrytëzuar”, u shpreh Meta lirshëm për ministrinë që drejtohet nga socialistët. Por slogani “Një shans përmes turizmit” duket shumë ironik për këtë sektor. Shansin kjo parti që prej 8 vitesh ka kaluar nga kalicioni me të djathtët në atë me të majtët, mund t’ia kishte dhënë prej kohësh turizmit.
Mund ta kundërshtonte shkatërrimin e “Pompeit shqiptar” për ndërtimin e një kompleksi pallatesh në Durrës. Po ashtu për hir të turizmit Ministria e Mjedisit mund t’i ndërpriste lidhjet që shkarkojnë ujëra të zeza në det, që u raportuan gushtin e kaluar nga Ishull.com
Por ndryshe nga kujdesi i LSI-së që mos t’i largohej kontekstit të turizmit dhe arkeologjisë, kryesocialisti Rama e përdori këtë muaj Parkun e Apollonisë si arenë e komunikimit me të rinjtë besnik të kësaj force politike. Por togfjalëshi që dominonte ishte, “qeveri besimi”, “qeveri teknike” dhe nuk dëgjohej gjëkundi mbrojtja e arkeologjisë, zhvillimi i turizmit apo ndonjë fjalë tjetër e huaj për investimet e qeverisë.
Kryetari i Departamentit të Artit edhe Kulturës në Partinë Demokratike, Arben Skënderi, reagoi për këtë ngjarje duke u shprehur ishte një shkelje e ligjit, pasi organizimi i çdo lloj aktiviteti që nuk ka në fokus vlera kulturore të lidhura drejtperdrejt apo indirekt me promovimin e trashgimisë kulturore apo të vetë sitit ku aktiviteti ndodh, është i ndaluar. Por edhe takimi për shpalosjen e programit të LSI-së për turizmin, duket se ka rënë në të njëjtën shkelje.
Meta e Rama mund t’i shpëtojnë skenës së krimit, rrethuar me shirita nga prokuroria e Durrësit në sheshin “Veliera”, por jo tokës së pasur të Apollonisë. Në fillim të muajit shkurt, dy vëllezër banorë të fshatit Radostimë në Fier, që ndodhet rrëzë kodrave të Apollonisë, u arrestuan nga policia që u gjeti 264 artefakte.
Nekropoli i Apollonisë na ishte shndërruar në “Park vjedhjesh” dhe megjithëse ka përgjegjës për ruajtjen e parkut, gjuetia e thesareve kryhej sikur po shponin blindat e “Velierës” në mes të ditës.
Por teksa u duk se politika ju shqep Apollonisë, një ngjarje me rëndësi për parkun, si rehabilitimi i Manastirit të Shën Marisë dhe peizazhit në Parkun Arkeologjik të Apollonisë, investim i Bashkimit Europian, u ul në nivelin e akuzave politike.
Kryeministri ndryshe nga muaji i kaluar, ku thumbonte aleatin e tij për vijimin e koalicionit, dje u shfaq duke u marrë me protestën e opozitës, në një ngjarje që mendohej se nuk na kishte lidhje me politikën.
Por zaptimi i një tempulli të kulturës, si Parku i Apollonisë, tregon varfërinë e investimeve për arkeologjinë në vend. Mund të ishte zgjedhur Parku Arkeologjik i Bylisit, ku ilirët kanë lënë gjurmët e tyre, por këtu nuk ka rrugë të mirë për të shkuar. Mund të ishte zgjedhur kalaja që mendohet si më e madhja e Ballkanit, ajo e Grezhdanit në Dibër, por ajo është harruar në tokat e fshatit.
Por mund të ishin zgjdhur edhe kodrat e Spitallës në Durrës, por atje gërmimet arkeologjike kanë dekada që nuk duken, periudha prehistorike, arkaike e në vijim është lënë të flejë e qetë, me shpresën se vilat luksoze të bregdetit të Kallmit, do të ngjiten edhe në kodër.
Por kryeministri njëkohësisht është edhe kreu i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe kur firmos për vijimin e “Rilindjes Urbane”, duhet të shoh zonifikimin arkeologjik të qytetit të Durrësit, se nuk ja kanë për borxh romakët, osmanët e kushedi se kush që t’i ngulin blindat e betonit pas shpine në kohë paqeje. Muajt e fundit janë firmosur një sërë projektesh publike dhe private, zona për të cilat ka punime shkencore që vërtetojnë praninë e objekteve të lashta, mozaikëve dhe ndërtimeve luksoze romake.
E teksa trashëgimia kulturore do të kthehet në kartë zgjedhore, post-zgjedhjet do të vulosin fatin e nëntokës së Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, pasi e sotmja nuk është tjetër vetëm se qetësia përpara stuhisë.
Ky artikull është botuar më parë tek Amfora.al.