Për çfarë gëzon Delegacioni i BE-së në Tiranë?

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Për çfarë gëzon Delegacioni i BE-së në Tiranë?

Mjafton një vështrim i shpejtë në Twitter-in e Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca për të marrë dozën vjetore të propagandës. Çdo ‘progres’ i reformës në drejësi përshëndetet dhe festohet me mesazhe të veçanta. Ndërkohë shkelja e zbatimit të ligjit në vend po bëhet gjithnjë e më e qartë. Ndaj, lind pyetja: për kë dhe për çfarë po feston Delegacioni i BE-së në Tiranë?

E vetmja gjë për të cilën mund të festohej vërtet do të ishte një reformë në drejtësi, e cila do ta transformonte sistemin gjyqësor në të pavarur, dhe të fuqishëm për të kontrolluar qeverinë. Por kjo, siç e kemi shpjeguar disa herë, nuk ndodhi me reformën në drejtësi.

Një mesazh i fundit i Ambasadorit Soreca në Twitter është shembulli konkret për këtë. Ai shkroi:

“Mbledhja e parë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED). Ky është një tjetër hap i rëndësishëm në zbatimin e reformës në drejtësi. BE e mbështet punën e KED dhe detyrën e rëndësishme për të renditur kandidatët për Gjykatën Kushtetuese.”

Së pari, KED është formuar në vitin 2017, madje KED i vitit 2018 zhvilloi edhe një mbledhje. Mbledhja e djeshme — pavarësisht sallës zyrtare dhe pompoze — bazuar thjesht në këto fakte, mbledhja e djeshme nuk është takimi i parë i KED-së. Për më tepër, KED-i i vitit 2019, e quan veten “të përkohshëm”. Ky term nuk ka asnjë kuptim ligjor, pasi ai nuk parashikohet as nga Kushtetuta dhe as nga ligji për organet e qeverisjes. Termi “i përkohshëm” është çorientues, njësoj si tek “Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme”. Megjithatë, BE-ja ka gjetur diçka për të festuar, pavarësisht përcaktimit të gabuar “i përkohshëm”.

Së dyti, procedura për zgjedhjen e KED-it 2019 ka pasur shkelje ligjore, të tilla si:

– Asnjë prej tre kandidatëve të propozuar nga Gjykata e Lartë nuk kishte përfunduar Shkollën e Magjistraturës,  kusht ligjor për të qenë anëtar i KED-it.

– Prokuroria e Përgjithshme nuk paraqiti një listë të plotë të kandidatëve që plotësonin kushtet, pavareësisht se  Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku u zgjodh anëtare e KED.

– Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) nuk publikoi brenda afatit listën me kandidatë nga gjykatat e Apelit dhe ato Administrative, por si me magji emrat e tyre u shfaqën gjatë zhvillimit të shortit.

Në këtë takim “të parë”, KED raportoi se ka nisur procedurën për renditjen e 40 kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese, e cila aktualisht ka mbetur vetëm me një anëtare. Lista me 40 emra supozohet se është propozuar nga Gjykata e Lartë, Presidenti dhe Parlamenti.

Deri më tani vetëm lista me 20 kandidatët e propozuar nga Parlamenti është bërë publike. Ndërkohë janë shtatë kandidatë për në Gjykatën Kushtetuese, të cilët që prej 15 majit 2018 janë në procesin e vetingut. Është ende e paqartë se cili institucion i ka propozuar këta kandidatë. Një prej tyre, Luan Dervishi, u shkarkua nga detyra, një tjetër, Valbona Bala, u dorëhoq, ndërsa Arta Vorpsi u konfirmua në detyrë. Të tjerët janë ende në pritje.

Pra, të paktën nga ana procedurale, zgjedhja e 8 anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese vështirë se mund të quhet një proces shembullor apo transparent. Deri më tani, në faqen zyrtare të KED nuk ka asnjë njoftim apo vendim të publikuar. Madje as takimi “i parë”, i përgëzuar nga Soreca nuk është publikuar në faqen zyrtare. E gjithë kjo është në shkelje të nenit 233 të Ligjit 115/2016 për Organet e Qeverisjes.

Së fundmi, KED nuk mund të marrë vendime pa formuar kuorumin e nevojshëm, prej 5 anëtarësh. Pavarësisht se në foton e Soreca-s duket një grup i madh njerëzish, vetëm katër prej anëtarëve mund të votojnë: Vitore Tusha, Ardian Dvorani, Arta Marku dhe Fatjona Memçaj. Kandidatët e tjerë ende nuk e kanë kaluar vetingun. Nëse KED ka marrë vendime në këtë takim, atëherë ato janë të paligjshme.

Kjo na kthen tek pyetja që ngritëm në fillim: për kë dhe për çfarë po feston Soreca?

Po feston për KED? Por KED nuk ka kuorum.

Po feston për sundimin e ligjit? Ligji është shkelur dhjetëra herë për të krijuar këtë KED.

Po feston për BE? Nuk ka gjasa. Kudo në vendet e BE forcat nacionaliste janë gjithnjë e në rritje, ndaj gjëja e fundit që do të mund të bëjë tani BE është të pranojë një vend tjetër, pa u siguruar plotësisht se të gjitha kriteret dhe udhëzimet janë përmbushur. Madje, festimet e parakohshme të Soreca-s e dëmtojnë kauzën e BE-së.

A po feston ai për qeverinë? Ndoshta po. Qeveria ka nevojë për imazh të mirë në publik, pasi po përpiqet dëshpërimisht për “rezulate”. Këto “rezultate” do ta çonin drejt ngjarjes profetike të “hapjes së negociatave” në maj. Rama ka emëruar dhe veten e tij si Ministër për Evropën, që të sigurohet që negociatat do të hapen.

A po feston ai për veten? Me siguri. Delegacioni i BE në Tiranë i ka hapur vetes një gropë kaq të madhe, duke mbështetur një qeveri të korruptuar në çdo hap të minimit të parimeve kyçe të reformës në drejtësi dhe sundimit të ligjit-saqë as shpëtimtari më i madh nuk do të mund ta nxirrte nga ajo gropë.

E vetmja gjë që me të vërtetë mund të kthejë besimin është nëse BE do t’i vinte flakën këshillave të sajuara nga misioni i asistencës EURALIUS. Të nxirrte një raport të vërtetë të progresit, ku përmenden sfidat dhe problemet e shumta me zbatimin e ligjit dhe me zbatimin e reformës së drejtësisë. Duke i  dhënë fund paraqitjes qesharake plot gaz e hare nëpër mediat sociale, sepse kjo është një fyerje për inteligjencën e të gjithëve.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>