Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar se përgjimet e anti-mafias italiane për skemat e pastrimit të parave në Shqipëri, tregojnë se kryetari i bashkisë, Veliaj me mbështetjen e kryeministrit Rama, e kanë kthyer Tiranën “në një lavatriçe të pastrimit të parave të pista”.
Gjatë një interviste në “News 24”, akuzoi Veliajn dhe Ramën për bashkëpunim me mafian italiane.
“Me të vërtetë këtu po ndërtohen kulla të larta që siç dalin nga përgjimet janë rezultat i bashkëpunimit të mafias italiane me kryebashkiakun, me ministrat, me pushtetarët e lartë nën varësinë e Kryeministrit, janë bashkëpunëtorë të kryeministrit siç ishte edhe Saimir Tahiri, po kështu i zbuluar nga përgjimet e anti-mafias italiane.”
Ky bashkëpunim sipas kreut të demokratëve ka bërë që Shqipëria të ketë një krizë të thellë ekonomike ku sipas tij ndihma për qytetarët ka qenë më e ulta në Europë.
Basha i bëri thirrje SPAK të kërkojë fashikujt e dosjes së përgjimeve nga kolegët italianë për të hetuar këtë çështje.
“Kujtoj se kështu ka ndodhur edhe kur anti-mafia italiane zbuloi çështje tashmë të famshme, të trafikut të drogës, të përfshirjes së ish-ministrit të Brendshëm Tahiri dhe nuk ka asnjë arsye në botë, pse SPAK-u të mos kërkojë me urgjencë, nga Anti-Mafia italiane, nga prokurorët Anti-Mafia që janë kolegët e tyre fashikujt e këtij hetimi dhe të nisë urgjentisht hetimet, duke marrë këto figura që janë të përmendura në këto hetime menjëherë në shqyrtim, nën hetim dhe duke bërë atë për të cilën SPAK-u është krijuar; për të bërë drejtësi.”
Veliaj paralajmëroi padi për shpifje për Grida Dumën, lidhur me kërkesën e saj ndaj SPAK për të hetuar lidhjet e qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës me mafian italiane.
Më herët Veliaj i quajti “çudira fushate” përgjimet e dala nga antimafia italiane.
Për të lexuar më shumë për përgjimet e grupit italian mafioz të ‘Ndrangheta-s, ku dolën në pah lidhjen e tyre me zyrtarë të Bashkisë Tiranë e qeverinë Rama, klikoni këtu.